Ish-komandanti Rrustem Mustafa ftohet për intervistim nga Specialja, më pas njoftohet për anulim
Ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka njoftuar se është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale, por që më pas ata e kanë njoftuar se është anuluar intervistimi i tij. “Në mbrëmjen e dt. 1.11. 2023, nga zyrtarët e dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t’u […]
Ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka njoftuar se është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale, por që më pas ata e kanë njoftuar se është anuluar intervistimi i tij.
“Në mbrëmjen e dt. 1.11. 2023, nga zyrtarët e dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t’u intervistuar sot, me 3.11.2023, në ora 09:00. Në ndërkohë, po nga të njëjtit zyrtarë, dje pasdite, fillimisht përmes një thirrjeje telefonike dhe pastaj një sms-je dhe email-i, m’u konfirmua se intervistimi im nga ZPS-ja është anuluar”, ka njoftuar ai.
Në një postim të tij në Facebook, Mustafa ka thënë se është i gatshëm të japë kontributin e tij në favor të drejtësisë dhe ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare me përpjekjet për liri.
Ai, gjithashtu, ka shprehur krenarinë e tij për rolin që ka luajtur në luftën e UÇK-së dhe për mundësinë e integrimit të Kosovës dhe të rajonit në familjen evropiane.
“Në lidhje me këtë çështje dua ta konfirmoj edhe një herë përcaktimin e përkushtimin tim. Si në të kaluarën ashtu edhe sot, por edhe nesër e kurdo që është nevoja, jam i gatshëm për të dhënë kontributin tim në favor të drejtësisë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ashtu siç thonë edhe miqtë ndërkombëtarë. Luftë më të drejtë dhe më të pastër (për aq sa, pastërtinë e tillë e mundosojnë rrethanat e luftës) nuk njeh historia e njerëzimit”, ka shkruar tutje ai Facebook.
Kujtojmë që gjatë kësaj jave janë kryer bastisje në shtëpinë e Artan Behramit, të Bashkim Smakajt dhe të Blerim Shalës, të tre ish-këshilltarë të Thaçit. Specialja ka bastisur edhe shtëpinë e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në një njoftim për media ka thënë se operacionet në Kosovë janë autorizuar nga Dhomat e Specializuara dhe janë mbështetur nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i.















