Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dardan Krasniqi, ka kërkuar nga ish-deputeti Gëzim Kelmendi që të kërkojë falje për votën pro ndryshimeve kushtetuese, të cilat mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

“Ti mjafton me than më fal kam bërë gabim dhe ti po ju kërkon njerëzve më e bë një gjykatë, por ke qenë deputet që nuk e ke vendosur kushtin për mos me u votu Gjykatën Speciale. Unë se kam personale, por me diskursin tënd, të paktën do të duhej të ndiheshe njeri i mirë, meqenëse jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, të paktën mund të thuash më fal”, është shprehur ai në emisionin Debat Plus.

Po ashtu, ai ka deklaruar se po të kishte votuar për Gjykatën Speciale, do të kishte turp të merrte pjesë në debate.

“Unë do të kisha turp nëse kisha qenë ai që kam votuar Gjykatën Speciale, nuk do të merrja pjesë në debate. Kjo kishte me qenë çmimi që do ta paguante secili qytetar, sepse është e keqja më e madhe që i ka ndodhur këtij vendi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka pasur dëshirë që këtë vend ta ndërtojnë Thaçi e Veseli por sipas tij, ata kanë dështuar dhe e kanë njollosur çdo vlerë mbas luftës.

Megjithatë, ai ka thënë se në lidhje me Gjykatën Speciale “po përpiqemi t’i bindim të gjithë që të mos e përdorin Hagën si terren ku njerëzit i lajnë hesapet politike”.

Ndërsa, ish-deputeti Gëzim Kelmendi ka thënë se krijimin e Gjykatës Speciale e kishte votuar nga besimi që kishte tek amerikanët, ndonëse një gjë të tillë thotë se nuk e kishte bërë nga dëshira.

I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Kelmendi ka thënë se vendimi për të votuar Specialen ishte ndër më të vështirët që kishte marrë në kohën e tij si deputet.

“Në parim ka qenë njëra ndër vendimet më të vështira gjersa kam qenë deputet në Kuvendin e Kosovës. Nuk ka qenë vendim i lehtë e të mbështetet ky projekt ndërkombëtar. I them projekt ngase nuk ishte as vullnet as dëshirë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pa dallim partie që të votohet një Gjykatë e tillë”, ka deklaruar ai.

Krahas kësaj, Kelmendi ka thënë se si deputet gjendeshin para dy opsioneve, por se vendimin e kishte marrë duke i besuar SHBA-së.

Kujtojmë se amendamentin për ndryshimin e kushtetutës që mundëson themelimin e Gjykatës Speciale, e kishte prezantuar para deputetëve kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa.

Kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin tri partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.