Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka ndërruar mendje sa i përket zbatimit të marrëveshjes për targat e automjeteve dhe kthimin e atyre ilegale në RKS.

Sipas analistit, Ylli Hoxha, jo-ja e tij është e drejtë, pasi ajo vjen pas një shtyrjeje të një afati të tillë.

“Jo-ja e Kurtit është parimore dhe e drejtë, sepse vjen pas një shtyrjeje përgjatë verës me lutjen e SHBA-ve, mbi një pretekst të moseskalimit të situatës. Shtyrja e dytë prej dhjetë muajsh vjen tani, por për të, duhet të ketë sqarime se pse është e nevojshme”, ka deklaruar Hoxha në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Se a do të realizohet një gjë e tillë, Hoxha ka thënë se varet nga intensiteti i kërkesës nga ana e SHBA-ve, por që sipas tij, është mirë që “jo të mbetet jo”.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit. Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë më datën 1 tetor, është data 1 nëntor, ose më mirë të them që në vend se të jetë më 30 shtator data e fundit, është 31 tetori”, kishte deklaruar Kurti.

Kurti s’e shtyn afatin për targat, refuzon “kërkesën personale” të sekretarit Blinken

Por, a paraqet kjo një përgjigje përfundimtare të Kurtit?

Sipas Astrit Gashi, Kurti nuk dha një përgjigje definitive sepse ai e di peshën e vendimit të tij, peshë e cila thekson se nuk ka të bëjë vetëm me targat.

“Padrejtësitë që po i bëhen Kosovës janë të vërteta, por një kryeministër do të vendosë se cili është rezultati dhe dëmi më i madh”, ka deklaruar ai, gjersa ka thënë se çështja e targave duhet të shërbejë në të mirën e vendit dhe jo në dëm të tij.

Kurti kishte theksuar se masa për kthimin e targave ilegale në ato legale, nuk është masë kundër serbëve, por kjo sipas tij, po bëhet vetëm për ta respektuar ligjin.