Kurti s’e shtyn afatin për targat, refuzon “kërkesën personale” të sekretarit Blinken

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nuk do ta shtyjë vendimin për çështjen e targave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka ndërruar mendje sa i përket zbatimit të marrëveshjes për targat e automjeteve dhe kthimin e atyre ilegale në RKS.

Kurti, pas Samitit të Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, deklaroi se vendimi është shtyrë një herë.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit. Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë më datën 1 tetor është data 1 nëntor ose më mirë të them që në vend se të jetë më 30 shtator data e fundit është 31 tetori”, ka thënë Kurti.

Kurti, theksoi se masa për kthimin e targave ilegale në ato legale, nuk është masë kundër serbëve por kjo sipas tij po bëhet vetëm për ta respektuar ligjin.

“Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos e kursyer as kohën as dijen, këto nuk janë masa kundër serbeve por janë masa për serbët. Nuk është hakmarrje, urrejtje apo inat, është zbatim i ligjit rendit, janë vendimet qeveritare të cilët nuk i diskriminojnë njerëzit por dëshirojnë ti bëjnë barabartë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri bëri të ditur se ka komunikim të vazhdueshëm me komandantin e KFOR-it dhe po ashtu me ambasadorin e Amerikës në Kosovë.

“Unë jam vazhdimësi në komunikim me ministrin e brendshëm Jam në kontakt me komandantin e KFOR, ambasadorin, state departament, ne nuk duam asnjëherë që ti befasojmë aleatët, miqtë tanë dhe partneret ndërkombëtar, ne duam ti befasojmë kriminelët të cilët nuk i ndajmë sipas përkatësisë etnike”, ka shtuar Kurti.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditë më parë gjatë vizitës së tij në Kosovë, deklaroi se ka kërkuar nga pala kosovare që vendimi të shtyhet edhe për dhjetë muaj.

Këtë kërkesë, Escobar kishte thënë se ia ka bërë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po ashtu sikurse Kurti deklaroi se vendimi nuk do të shtyhet.

Ndonëse Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, megjithatë insiston në kërkesën paraprake që Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka theksuar që kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore.

“Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e duhura evropiane. Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime”.

“Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur”, ka thënë Stano.

Sipas tij, kjo gjithashtu do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferë të Kosovës.

Stano ka potencuar se duhet të shmanget eskalimi i tensioneve dhe situatës në veri të vendit.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika