Kamerat e sigurisë tregojnë bashkëpunëtorët e vrasjes së Nikulajt
Policia ka kryer sërish kontrolle në shtëpinë e Edmond Haxhisë, që dyshohet se është porositësi i vrasjes së Ardian Nikulajt. Kontrollet u kryen pasi 300 metra pranë banesës, në lumin Kakarriq u gjet motori që ekzekutori portugez përdori për të shkuar në lokalin ku vrau biznesmenin dhe për t’u larguar pasi kreu porosinë. Raportimi i […]
Policia ka kryer sërish kontrolle në shtëpinë e Edmond Haxhisë, që dyshohet se është porositësi i vrasjes së Ardian Nikulajt.
Kontrollet u kryen pasi 300 metra pranë banesës, në lumin Kakarriq u gjet motori që ekzekutori portugez përdori për të shkuar në lokalin ku vrau biznesmenin dhe për t’u larguar pasi kreu porosinë.
Raportimi i “TOP CHANNEL” bën të ditur se në pyetje është marrë sërish nëna e Haxhisë, e cila i ka qëndruar deklaratave të mëparshme se nuk ka dijeni për ngjarjen e ndodhur.
“Kjo ngjarja dhe përfshirja e djalit ka tronditur familjen”, është shprehur ajo para bluve.
Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë kanë nxjerrë zbuluar bashkëpunëtorët e këtij krimi, të cilët kanë qëndruar në hotelin dhe lokalin e Nikulajt për disa javë.
Gazetarja Brixhilda Deda ka siguruar videot, ku duket qartë identiteti i autorëve, të cilët hiqeshin si turistë. Ata janë identifikuar si Edmond Haxhia, shtetas shqiptaro- britanik; Harry Simson, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike; Thomas Mithan, shtetas britanik dhe Steven Hunt shtetas britanik.
Dyshohet se Haxhia ka porositur vrasjen, me qëllimin e hakmarrjes. Ai është nipi i Elton dhe Klodian Lestakajt, të cilët ishin në gjak me Nikulajn. Vrasja dyshohet se është planifikuar në Londër, ku këta shtetas jetojnë.
Zbatimi i planit nisi para 3 muajsh, kur Edmond Haxhia mbërriti në Shqipëri dhe nisi të studionte lëvizjet e objektivit dhe rrugët që do të ndiqnin pas kryerjes së vrasjes.
Pas Haxhiajt, më 14 shkurt në Shqipëri mbërriti ekzekutori portugez Ruben Saraiva, i cili qëndroi në Shkodër për gati dy muaj në një banesë të marrë me qira dhe shpesh herë është kapur nga kamerat e sigurisë dhe pranë lokalit “Coral” në Shëngjin duke ndjekur objektivin e tij. Në pjesën më të madhe të rasteve, ai lëvizte me të njëjtat rroba dhe me të njëjtin maskim.
Ndërsa në muajin mars, mbërritën 3 britanikë mes tyre dhe një vajzë që kryenin rolin e vëzhguesit duke u fshehur mes dukjes si turistë. Ata kanë shkuar edhe brenda lokalit që konsiderohej vendi më i sigurt për Ardian Nikulajn dhe kishin fotografuar ambientet dhe studiuar daljet.
I fundit në Shqipëri ka mbërritur Steven Hunt, i cili erdhi nga Rinasi më 11 prill dhe dyshohet se ishte personi që njoftoi Ruben Saraivën se objektivi ishte i vetëm në tavolinë dhe mund të vepronte.
Të gjithë lanë Shqipërinë brenda 2 ditëve pasi kryen vrasjen por nuk mundën të fshehin gjithë gjurmët e lëna pas. Dëshmi të personave që kanë ndjekur lëvizjet dhe takimet e ndodhura mes tyre në javët e qëndrimit në shtëpi, mjetet e marra me qira, si dhe sende të përdorura prej tyre shërbyen për identifikimin e tyre dhe dokumentimin e autorësisë në vrasje.
Vrasja e Ardian Nikulajt në Shëngjin, gjendet motori që përdori ekzekutori portugez
Shëngjini është tronditur pasditen e 19 prillit, pasi të shtënat me armë zjarri i kanë marrë jetën një shtetasi shqiptar.
Bëhet fjalë për Ardian Nikulajn, një biznesmen i njohur në zonën e Lezhës, dhe vite më parë kandidat për deputet.
Nga foto e publikuar në rrjet, në momentin që është qëlluar, ai ishte i ulur dhe drejt tij shihet një person që futet në lokal duke ia drejtuar pistoletën e duke qëlluar në drejtim të Nikulajt.
Pamjet e publikuara në media tregonin momentin kur autori i krimit i ka drejtuar pistoletën Nikulajt, i cili qëndron i ulur në një nga tavolinat e lokalit.
Ai e ka qëlluar 7 herë me pistoletë në kokë e në pjesë të tjera të trupit dhe është larguar me motor, teksa ende ndodhet në arrati, raporton TCH.
Ai garoi si kandidat për deputet nën siglën e PSD-ës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku mori 97 vota dhe në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003 dhe më 1 dhjetor 2006 për armëmbajtje pa leje.
Nikulaj ishte rreth 50 vjeç dhe në këto zgjedhje ishte renditur i 23-ti në listën e PSD-së për Këshillin Bashkiak të bashkisë Lezhë.
Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së kësaj vrasjeje, nëse ka të bëjë me një atentat, apo nëse ka të bëjë me një vrasje për “motive politike”.
Autoritetet nuk kanë përjashtuar as mundësinë e vrasjes për hakmarrje, duke bërë kontrolle në familje, të cilat mund të kenë pasur konflikte të mëparshme me Nikulajn.
Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.
Konkretisht në vitin 2003, ai është dënuar me katër muaj burgim për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.
Qarku i Lezhës ka precedentë në krime që prekin personazhe të përfshira në procesin zgjedhor. Qershorin e vitit 2013, si pasojë e të shtënave nga armët e zjarrit, mbeti i vdekur në vend 49-vjeçari Gjon Gjoni, i cilësuar si simpatizant i LSI.
Në këtë breshëri armësh mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, kandidati i PD-së, Mhill Fufi, njëkohësisht edhe nënkryetar i qarkut, si dhe i afërmi i tij, Kastriot Fufi.















