Kampi “Hajde bre!” bashkon komunitetet e ndryshme përmes dizajnit grafik dhe fotografisë

Kampi "Hajde bre!" është ndër të rrallët që organizohet në shoqërinë tonë. Ai ka mbledhur 27 të rinj nga komunitete të ndryshme në Rugovë gjatë 14-17 korrikut të këtij viti. Ky kamp ka organizuar aktivitete të ndryshme, por fokusi ishte te marrja e njohurive për fushën e dizajnit grafik dhe fotografisë

Të rinjtë e komuniteteve të ndryshme në kampin "Hajde bre!"

Kampi “Hajde Bre!” ka bashkuar 27 të rinj nga komunitete të ndryshme të Kosovës në Rugovë. Qëllimi i të rinjve është punëtoria treditore për fotografi, dizajn grafik, shkrim  përmbajtësor në teori dhe praktikë.

“Hajde Bre!”, ka filluar më 14 korrik dhe ka mbaruar të dielën e 17 korrikut.

Përveç mësimit të njohurive dhe aftësive të dobishme, të cilat mund t’i përdorin në të ardhmen, pjesëmarrësit kanë pasur hapësirë të nisin komunikimin, e po ashtu të njihen me dallimet unike rreth komuniteteve të ndryshme nga vijnë.

Ky kamp është pjesë e Aktivitetit të Pajtimit dhe Transformimit të Konfliktit, i cili është i implementuar nga “Community Building Mitrovica”, dhe partnerët NSI dhe YIHRks. Ndërsa, mbështetja e organizimit të kampit bëhet nga populli amerikan përmes USAID-it në Kosovë.

Pjesëmarrësit në kampin “Hajde bre!” duke mbajtur aktivitetet e tyre

Organizimi i kampit “Hajde bre!” dhe aktivitetet e mbajtura

Nerimane Ferizi nga “Community Building Mitrovica” në një intervistë për Portali Dukagjini ka thënë se qëllimi i këtij kampi është krijimi i një hapësire ndërvepruese në mes të rinjve të komuniteteve të ndryshme, të cilët nuk kanë pasur mundësi t’i takojnë moshatarët e tyre, të bashkëveprojnë me ata.

“Gjithsesi, kampi është organizuar edhe për të ngritur kapacitetet e të rinjve të komuniteteve të ndryshme për dizajn grafik dhe fotografi”, ka thënë Nerimane Ferizi.

Sa i përket organizimit të kampit, Ferizi është shprehur se ka shkuar shumë mirë dhe të rinjtë, përveç mësimeve, kanë pasur kohë edhe të njihen më shumë me njëri-tjetrin.

“Njëherit gjatë mbrëmjeve, kanë dëgjuar muzikë afër zjarrit duke shkëmbyer informacione duke krijuar kontakte me njëri-tjetrin”, ka rrëfyer Nerimane Ferizi.

Organizatorja e kampit “Hajde bre!” ka treguar se pas këtij suksesi me këtë kamp, e kanë parë të nevojshme që të organizojnë më shumë kampe të tilla, duke parë efektin pozitiv që kanë këto aktivitete.

Në planet e Nerimane Ferizit janë dhe disa projekte në bashkëpunim me donatorin e tyre USAID dhe partnerët në projekt. Të gjitha organizimet përfshijnë aktivitete atraktive dhe sa më të rehatshme, kjo bëhet që njerëzit të ndihen të lirë të shprehen dhe të bashkëveprojnë.

Aktivitetet me të cilat janë marrë të rinjtë e komuniteteve të ndryshme në këtë kamp përfshijnë paisjen me njohuri mbi fotografinë, dizajnin grafik dhe të drejtën e autorit.

“Gjatë qëndrimit në kamp, të rinjtë janë ndarë në grupe të përziera dhe kanë bërë fotografi të ndryshme duke e përgjedhur një temë specifike. Kjo temë lidhet me fotografinë e realizuar nga ata dhe njëkohësisht kanë shkruar përrmbajtjen e fotografisë dhe pastaj e kanë dizajnuar atë. Janë realizuar, gjithsej, katër punime”, ka përfunduar organizatorja e kampit “Hajde bre!”.Pjesëmarrësit në kampin “Hajde bre!” duke mbajtur aktivitetin mbi workshop-in për fotografinë

Përvoja dhe pritshmëritë e pjesëmarrëses 

Jetlira Avdiaj, pjesëmarrëse në kampin “Hajde bre!”, për Portali Dukagjini ka thënë se të jesh kurioz dhe të duash të zgjerosh njohuritë e tua konsiderohet si një dhuratë. Ndërsa, të kesh mundësinë të ushqesh kuriozitetin dhe të mësosh shumë më tepër për gjërat që të interesojnë, është aftësia për ta hapur dhe përdorur këtë dhuratë.

“Për mua, veçanërisht dizajni grafik është një fushë që më pëlqen të eksploroj dhe një aftësi që shpresoj që një ditë ta kem. Duke parë këtë mundësi në kampin veror “Hajde bre”, më është dukur se më në fund ekziston një mënyrë që të mësoj si në praktikë ashtu edhe në teori rreth dizajnit grafik dhe fotografisë”, ka thënë Jetlira Avdiaj.

Avdiaj thekson se puna në grup, gatishmëria për të mësuar diçka të re, për të ndarë mendimet me të tjerët, për të studiuar diçka më shumë se ato që ofrohen në leksionet tona të përditshme ishin një arsye për të qenë pjesë e këtij kampi. Sipas saj, është edhe njohja me miq të rinj, shkëmbimi i përvojës me ta dhe krijimi i një eksperience të re pjesë e së cilës do të jenë edhe ata.

Pjesëmarrësja në kampin “Hajde bre!” ka vlerësuar se prania e njerëzve të mëdhenj që mbajnë gjithmonë brenda vetes një shpresë të fortë për ndryshim ishte arsyeja kryesore që ishtë pjesë e këtij kampi.

“Bashkëpunimi në grup i të dy komuniteteve si dhe njohja me njëri-tjetrin, hap mundësi bashkëpunimi edhe në të ardhmen, dhe kësisoji ndërtohen ura miqësie mes komuniteteve duke premtuar një të ardhme më të mirë. Fundja, rinia është e ardhmja e një vendi”.

Për eksperiecën që ka kaluar në këtë kamp, Jetlira thotë se ishte përtej pritshmërive, e jashtëzakonshme.

“Kjo, jo vetëm për shkak të workshop-ve dhe njohurive që e zgjeruan më shumë horizontin tim të dijes, por, ndoshta, kryesisht, shkaku këmbimit të ideve, mendimeve dhe pikëpamjeve që krijuan një diversitet të shumëngjyrshëm, këndvështrime rreth shumë fushave”, ka theksuar Jetlira Avdiaj.

Avdiaj ka theksuar se në kamp organizoheshin dhe aktivitetet relaksuese e ngjitjet gjerë te Liqenati, po ashtu mbrëmjet rreth zjarrit që i kanë dhënë një dimension më karakteristik vetë kampit. Ndërkaq, rezultati më i lartë ishte gjatë punës grupore ku shkëmbimi i ideve kreative arriti kulmin dhe realizimi i detyrës ishte përtej fenomenales, e gjitha kjo falë bashkëpunimit.

“Në fjalë të tjerë, ishte një eksperiencë e paharrueshme, të cilën uroj që edhe shumë të tjerë ta kenë përjetuar, dhe që të kaloj në eksperienca të tilla sërish”.

Pritshmëritë e Jetlira Avdiajt ishin në marrjen e njohurive rreth praktikës dhe teorisë për dizajnin grafik dhe për fotografinë. Këto pritshmëri të Jetlirës përpos që tejkaluan, patën edhe “dëmët anësore”, të cilat Avdiaj pëlqen ti quajë shpërthim të kreativitetit rreth të dy fushave.

“Pritshmëri tjetër ishte edhe njohja me miq të rinj dhe krijimi i raporteve miqësore, gjë që në ndarje përfundoi me “Shpresoj të takohemi përseri. Rrethi i ri miqësor, organizimi nga ana e organizatorëve, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i ideve, ambienti përreth, bën që çdo moment i kampit të ngulitet thellë në kujtesë”.

Ajo për fund ka falënderuar organizatorët për mundësinë e një eksperience të tillë,

“Prandaj, faleminderit organizatorëve që na mblodhën në një vend dhe na bënë të kuptojmë se pavarësisht dallimeve, asgjë nuk na ndalon të punojmë së bashku, se mund të punojmë së bashku”.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika