Kompania KEDS ka dënuar sulmin fizik ndaj një punëtori të ekipit të Operimeve, në Glloboçicë të Kaçanikut.

Siç njofton KEDS-i, gjatë pasdites të së mërkurës një punëtor i ekipit të Operimeve të KEDS-it, gjatë kryerjes së detyrave të tij zyrtare, është sulmuar fizikisht.

“Punëtori ynë, me këtë rast, ka marrë lëndime trupore, të cilat fatmirësisht janë të lehta. Rasti është paraqitur menjëherë në Policinë e Kosovës, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka hapur rastin si sulm fizik ndaj personit zyrtar. Sulmuesi i punëtorit të KEDS-it gjendet akoma në arrati, ndërkaq Policia e Kosovës është në kërkim të tij. KEDS dënon ashpër këtë akt të shëmtuar, dhe u bën thirrje qytetarëve që të mos pengojnë ekipet e autorizuara të kompanisë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që i kanë në raport me konsumatorët. Ky nuk është rasti i parë ku një punëtor i KEDS-it sulmohet nga persona të papërgjegjshëm. Të gjitha rastet e ngjashme kanë marrë dënimin e merituar nga organet kompetente”, thuhet në njoftim e KEDS-it.