Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj dy të pandehurve me inicialet Xh.P. dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë shkelur detyrimet ligjore për sigurinë në punë, lidhur me rastin e vdekjes së dy punëtorëve.

Ngjarja tragjike ka ndodhur më 21 korrik, rreth orës 08:16, në një kantier ndërtimi në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë. Dy punëtorë, H.J. dhe D.B., kanë humbur jetën pasi kanë rënë nga kati i tretë i objektit në ndërtim, nga një lartësi prej 9 metrash.

Sipas raportit mjekësor të Spitalit Rajonal në Gjakovë, të dy viktimat kanë ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda.

Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Xh.P., si person përgjegjës i kompanisë NTSH “Sh…” Sh.P.K., në cilësinë e punëdhënësit dhe investitorit, nuk ka zbatuar masat e domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin në punë, siç parashihet me Ligjin për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës (Ligji nr. 04/L-161).

Sipas hetimeve fillestare, në vendin e ngjarjes nuk ishin instaluar pajisje mbrojtëse si helmetat, jelekët mbrojtës, litarët për siguri, skelet e mbrojtjes apo parmakët që do të parandalonin rënien nga lartësia.

Dy punëtorët ishin duke punuar në dërrasat e jashtme të betonit, të cilat nuk ishin të montuara sipas kushteve teknike, dhe në një moment njëra nga dërrasat është thyer duke i rrëzuar ata në tokë.

Të njëjtat shkelje i atribuohen edhe të pandehurit A.M., përgjegjës i kompanisë “M.G.” Sh.P.K., i cili kishte rolin e punëkryesit në këtë kantier ndërtimi. Edhe ai dyshohet se nuk ka siguruar kushtet bazike për sigurinë e punëtorëve dhe ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke sjellë pasojë vdekjen e punëtorëve.

Prokuroria ka filluar hetimet ndaj të dy të pandehurve dhe ka kërkuar që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Ata po hetohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358 paragrafët 2, 3 dhe 7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.