Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, ka reaguar në lidhje me kthimin në punë të zyrtarëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët u suspenduan si të dyshuar për zhdukjet e mostrave të ADN-së të Astrit Deharit, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdekja e të cilit ende nuk është zbardhur nga organet e drejtësisë.

Ajo e ka akuzuar Qeverinë aktuale për heshtje karshi këtyre zhvillimeve, teksa i ka shtruar shtatë pyetje në lidhje me zhdukjen e mostrave.

“A kanë humbur, apo janë zhdukur qëllimshëm mostrat? apo, janë diku ku ka rrezik të tjetërsohen? Bëhen të papërdorshme? apo, dikush po mundohet të na krijojë bindjen që po manipulohen? Dikush që nuk mundi ta pranojë të vërtetën sepse i dëmton politikisht? I implikon penalisht? Apo thjesht dikush që e kuptoi, më në fund, që e kishte pasur gjithë kohën gabim?”, ka shkruar ajo.

Me zhdukjen e mostrave, sipas saj, rasti Dehari mund të mos zgjidhet asnjëherë. Ajo ka thënë se “Dikush nuk deshti që ky rast të zgjidhet”.

Ajo u shpreh se Qeverisë së Kosovës nuk është duke i penguar kthimi i zyrtarëve të IML-së përsëri në vendet e tyre të punës.

“Me këtë zhdukje të mostrave, ky rast mund të mos zgjidhet më kurrë! Dikush nuk deshti që ky rast të zgjidhet! Kush, nuk e di, por di që e gjithë kjo po ndodh TANI! Në këtë qeverisje! Por, sot qeverisë nuk po i pengon kthimi i zyrtarëve të IML-së. Nuk po i pengojnë ditët që po kalojnë pa u gjetur mostrat. Sot diçka ka ndryshuar. Duken më të qetë. Sikur më në fund, ajo që ndryshoi, po i jep qetësi, edhe në qoftë se kjo nënkupton që nuk do të ketë kurrë drejtësi!”, ka thënë ajo.

Ajo e ka akuzuar Qeverinë duke thënë se ata po heshtin qëllimshëm për këtë rast.

“E, çka mbizotëron te pushteti e deputetët e shumicës? HESHTJA! Kjo heshtje, që dikur rrotullonte kamionë, dëmtonte institucione, e lëndonte policët tonë PIKËRISHT për skandalet si kjo. Pikërisht për KËTË rast!”, ka thënë ajo.

Ajo ka përfunduar duke shkruar “E sot? Sot rrotullohet veç drejtësia në varr!”.

Ndryshe, dy muaj pas suspendimit, katër zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë rikthyer përsëri në vendet e tyre të punës.

Zyrtarët Flutura Goga, Nardi Sheqergjiu, Anila Lakna dhe Ilirjana Shala, u suspenduan nën arsyet e shkeljeve të rënda disiplinore, të cilat ndërlidhen me zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit.