Avokati Arianit Koci, në një intervistë në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me arrestimin e fundit, i cili ndodhi një javë më parë në Serbi, të një qytetari të Kosovës.

Ai ka thënë se Dukagjin Maxhuni është arrestuar nën pretendimet se kinse ka kryer krime lufte dhe se ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

“Gjë që nuk është e vërtetë. Ai nuk ka qenë fare në UÇK, madje ka qenë i dëbuar prej shtëpisë së vet, të cilën e ka në rrethinën e Gjakovës”, ka thënë ai.

Avokati Koci tutje është shprehur se sa herë gjendet një varrezë masive dhe sa herë ka lëvizje të Kosovës në raport me Serbinë, kjo e fundit dëshiron të krijojë një, siç e quan ai, “balanc”.

“Me kriju rrethana dhe me thënë që krime kanë kryer serbët, por krime keni kryer edhe ju”, ka thënë ai.

Koci ka thënë se kjo është një kundërpërgjigje për rastin e varrezës së zbuluar në Kalludër të Zubin Potokut.

“Kundërpërgjigje për rastin e Kalludrës, por edhe në përgjithësi ata kanë interes që me na paraqit sa ma shumë shqiptarë që kanë kryer krime lufte dhe në fund me u kriju njëfarë baraspeshe që dy palët paskemi kryer krime lufte.”

“Unë këtë e kam marrë si mision timin, kështu personal, patriotik. Nuk e mbroj vetëm individin, por në një mënyrë e mbroj edhe të vërtetën, edhe Kosovën”, ka thënë ai në FIVE në RTV Dukagjini.

MPJD: Serbia i cakton 30 ditë paraburgim Dukagjin Maxhunit, e akuzon për krime lufte