Komandanti i Policisë të Lipjanit: S’ndjehemi fajtorë sepse kemi zbatuar ligjin
Vdekja e 27 vjecarit, Agon Zenjullahu nga Lipjani e dyshimi se gisht në vdekjen e tij kanë edhe 5 zyrtarë të Policisë së Kosovës bën që komandanti i tyre, respektivisht i stacionit të Policisë së Lipjanit të kërkoj nga drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha që ta liroj nga detyra. Ai po thotë se kjo dorëheqje […]
Vdekja e 27 vjecarit, Agon Zenjullahu nga Lipjani e dyshimi se gisht në vdekjen e tij kanë edhe 5 zyrtarë të Policisë së Kosovës bën që komandanti i tyre, respektivisht i stacionit të Policisë së Lipjanit të kërkoj nga drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha që ta liroj nga detyra.
Ai po thotë se kjo dorëheqje është morale dhe ndihet keq për gjithë situatën e krijuar.
“Unë kam kërkuar nga drejtori i përgjithshëm lirim nga detyra e Komandantit për arsye morale për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur me rastin e fundit. Për të gjitha këto zhvillime, prej rastit të njohur tashmë i vdekjes së 27 vjecarit. Na vjen keq shumë edhe shprehim ngushëllime. Por edhe për zhvillimet tjera deri ditën e djeshme, kur unë kam kërkuar lirim nga pozita e komandantit” , ka thënë komandanti i deridjeshëm i stacionit të Lipjanit, Argjent Gashi.
Por, pavarësisht kësaj Gashi, beson se reagimi i Policisë në ato momente ka qenë vetëm zbatim i ligjit e reagim i thirrjeve.
“Fajtor nuk mund të themi sepse nuk ndihemi fajtor sepse ne kemi zbatu ligjin, ne kemi reaguar për shkak të thirrjeve të qytetarëve për një sjellje agresive të një personi dukshëm, i crregullt dhe kemi kryer detyren tonë. IML do të jep raportin e vet përfundimtar dhe ne besojmë shumë dhe jemi të bindur që raporti do të del ashtu sic është e drejta”, ka shtuar Gashi.
Argjent Gashin e ka zëvendësuar Brahim Shatrolli e për këto ndryshime sot për Dukagjinin ka folur edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ndryshime në stacionin policor në Lipjan, flet Sveçla
Ai tha se PK-ja është e suksesshme për shkak të vetpërmirësimit që bën.
“Kështu që çdo veprim i Policisë së Kosovës që shkon në ngritjen e kualitetit, ngritjen e gatishmërisë, por edhe shtimin e suksesit të Policisë së Kosovës, ne e përkrahim”, ka thënë ndër të tjera Sveçla.
Dje është mbajtur seanca dëgjimore ndaj pesë zyrtarëve policor të cilët janë arrestuar pasi që dyshohet që kryen veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”. Atyre u është caktuar nga një muaj paraburgim.















