Komuna e Ferizajt reagon pas djegies së ish-gjimnazit: Shkaqet e zjarrit të hetohen nga autoritetet

Pamje nga Gjimnazi i Vjetër në Ferizaj, foto e publikuar nga Komuna e Ferizajt

Ndërtesa e ish-Gjimnazit të Vjetër në Komunën e Ferizajt është përfshirë nga zjarri masiv në orët e para të mëngjesit të së martës.

Komuna e Ferizajt nëpërmjet një reagimi publik ka deklaruar se zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë objektin, i cili përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore.

Po ashtu, komuna në fjalë ka kërkuar që shkaktarët e zjarrit të hetohen nga organet e sigurisë dhe drejtësisë.

“Komuna e Ferizajt, kërkon nga organet hetimore, organet e ndjekjes dhe gjyqësore që të zhvillojë hetim të tërësishëm të rastit dhe që shkaktarët e zjarrit të bëhen publike për qytetarët”, thuhet në reagimin e tyre.

I njëjti objekt bëhet e ditur se të hënën e 13 marsit kishte nisur të rinovohej tërësisht nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, objekti i ish Gjimnazit të Vjetër në Ferizaj, u përfshi nga zjarr masiv, duke shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin, objekt ky që përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore e që së fundmi, pikërisht dje më 13.03.2023, nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nisën ndërhyrjet e para për renovimin e tërësishëm të objektit”, thuhet në reagim.

Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Shërbimi Zjarrfikës, me marrjen e informacionit, kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me të gjitha kapacitetet për shuarjen e zjarrit.

“Ky objekt përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore të Ferizajt, andaj Komuna e Ferizajt me gjithë kapacitetin e saj e kompetencën ligjore, do ta mbrojë këtë objekt për t’ia ofruar publikut, pas punës restauruese që do të ndodhë në këtë objekt”, thuhet tutje në reagim.

Gjithashtu, deputeti i LVV-së, Enver Haliti ka reaguar pas djegies së objektit të Gjimnazit të parë shqiptar “Ismail Qemali” në Ferizaj, që sipas tij kjo nuk është hera e parë që ky objekt digjet.

Më tej, deputeti nga LVV-ja e ka cilësuar si “Krimi të organizuar dëshiron që ta shlyejë historinë e Ferizajt”.

Haliti dyshon se prapa këtij zjarri qëndron dikush që e ka urdhëruar këtë dhe i ka ftuar organet e rendit që ta zbulojnë këtë rast.

Ndërsa, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, për Dukagjinin ka thënë se nëse deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka ndonjë emër të ndonjë personi që ka shkaktuar zjarrin në Gjimnazin e parë Shqiptar, le të bashkëpunojë me prokurorin e shtetit.

“Deputetët mund të shkruajnë çfarëdo, por nëse deputeti Enver Haliti ka ndonjë emër mund të vijë direkt te unë dhe as në polici nuk ka nevojë me shku, le të vijë tek unë le të ma sjellë emrin, unë menjëherë shkoj e arrestoj atë person, por jo me supozime sepse ne me supozime nuk punojmë”, ka thënë Jashari për Portalin Dukagjni.

Më tej, ai ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar por në këtë fazë janë ende konfidenciale.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika