Të enjten, nga ora 10:00 deri në 12:00, disa nga hyrjet kryesore të Prishtinës do të bllokohen përkohësisht, për shkak të një proteste të bizneseve kundër tregut të hapur të energjisë elektrike.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se bllokimi do të ndodhë në këto tri pika kryesore hyrëse të kryeqytetit:

Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani – përfshirë rrugën pranë Albi Mall dhe pjesën poshtë Veternikut, duke ndikuar qasjen nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti.

Hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica – konkretisht në rrethin e Madh te Lakrishtja, afër objektit “Dukagjini Tower”.

Hyrja nga Podujeva (lagjja Vranjevc) – përfshirë zonën te ish-Humanisti dhe udhëkryqin pranë bankës Raiffeisen, ku do të bllokohet qasja në drejtim të Podujevës dhe nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviqit.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë kohës së protestës të përdorin rrugë alternative për të shmangur pritjet dhe bllokimet.

“Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe sugjerojmë planifikim alternativ të lëvizjeve gjatë kohës së protestës. Institucionet e Kryeqytetit janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë publike dhe menaxhimin sa më efikas të situatës”, thuhet nga Komuna.

Protesta është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila ka paralajmëruar se do të vazhdojë edhe më tej nëse nuk shtyhet afati për daljen në tregun e lirë dhe nuk nis dialogu për një zgjidhje të pranueshme që nuk dëmton sektorin privat.

Gjatë protestës, automjetet e bizneseve pjesëmarrëse do të pozicionohen në rrugë, duke pamundësuar përkohësisht qarkullimin në këto akse rrugore.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.