Në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sa më afër që janë Kosova dhe Shqipëria, aq më lehtë do të jetë të mbrohen interesat e kombit.

“Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb, vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit”, shtoi ai.

Teksa përmendi rrezikun që Kosovës si shtet po i vjen nga Serbia, siç tha ai në rrugë diplomatike dhe me financimin e grupeve kriminale, Konjufca theksoi se mbështetja e Shqipërisë është thelbësore për të mbrojtur interesat e kombit

“Ne shqiptarëve historia na ka mësuar se aq sa duhet të festojmë, duhet të reflektojmë. Bota sot është më pak e sigurt se dje si shkak i luftës së Rusisë në Ukrainë që synon NATO-n dhe BE-në. I vetmi shtet ne mes të Evropës i lidhur me Rusinë është Serbia, na lufton nga brenda e jashtë, që nga diplomacia deri te financimi i grupeve kriminale. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria e Kosova aq më lehtë mund të mbrojmë interesat e kombit tonë”, tha Konjufca.

Dy kryeparlamentarët me fjalë emocionuese nga Kuvendi i Shqipërisë për 28 Nëntor