Kosova dhe Serbia ftohen që t’i japin fund “retorikës nxitëse”, Petkoviq: BE-ja po i hedh benzinë zjarrit

Bashkimi Evropian ka ftuar liderët politikë në Kosovë dhe Serbi që menjëherë t’i japin fund retorikës nxitëse dhe të veprojnë me përgjegjësi. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Drejtori i të ashtquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje vendosmëria e Beogradit dhe presidentit Aleksandër Vuçiq për dialog dhe zgjidhje të problemeve në Kosovë me mjete politike dhe paqësore

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj thirrjeve që janë bërë nga Bashkimi Evropian, të dielën, që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga “retorikat nxitëse”.

Petkoviq ka vlerësuar se njoftimi i Shërbimit Evropian për politikë të Jashtme ka munguar plotësisht dhe sipas tij Beogradi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjithmonë kanë qenë të përkushtuar për dialog.

“Asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje vendosmëria e Beogradit dhe presidentit Aleksandër Vuçiq për dialog dhe zgjidhje të problemeve në Kosovë me mjete politike dhe paqësore”, ka thënë Petkoviq, shkruan Kosovo Online.

Ai ka thënë se me njoftime të tilla, BE-ja “vetëm sa po i hedhin benzinë ​​zjarrit, duke inkurajuar Kurtin dhe duke inkurajuar përpjekjet e tij për të destabilizuar situatën në Kosovë në gjithë rajonin”.

“Ashtu si të dyja palët nuk janë përgjegjëse për faktin se Marrëveshja e Parë e Brukselit nuk u zbatua për gati një dekadë, ndonëse garantuesi i saj ishte BE-ja, as në këtë rast nuk mund të jenë përgjegjëse të dyja palët për serinë e provokimeve nga Prishtina dhe kërcënimet e Kurtit”, ka thënë Petkoviq teksa shtoi se “Kosova është dhunuesi, ndërsa Serbia viktima”.

Ndryshe, BE-ja ka bërë thirrje zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë që të ndalin menjëherë retorikat nxitëse.

Nga BE-ja është thënë se politikanët e të dyja palëve do të mbahen përgjegjës në rast të përshkallëzimit të tensioneve.

“Rritja e retorikës nxitëse së fundi mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht deklaratat për luftë dhe konflikt në Ballkan Perëndimor janë mjaft shqetësuese. Politikanë të lartë të dyja palëve do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim që çon në rritjen e tensioneve dhe potencialisht dhunë në rajon. Të dyja palët duhet t’i ndalin menjëherë armiqësitë e ndërsjella dhe deklaratat e rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi”, thuhet në komunikatë të BE-së.

Nga BE-ja thuhet se gjitha çështjet duhet të diskutohen në dialog, ndërsa ka thënë se pret që të gjitha marrëveshjet e kaluara të implementohen plotësisht.

Nga Bashkimi Evropian është shtuar se është në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në.

BE: Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi të situatës

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika