Kur rrëshqitja nuk bën zhurmë

-I- Një paralajmërim për Kosovën: Demokracitë nuk vriten më, ato thjesht rrëshqasin

Ekziston një ide e rrënjosur thellë në imagjinatën tonë politike se demokracia vdes vetëm me zhurmë, me tanke në rrugë, me shpërndarje parlamentesh, me dhunë të hapur dhe thyerje brutale të rendit kushtetues. Ky imazh, i trashëguar kryesisht nga përvoja e shekullit XX, ka krijuar një ndjesi të rreme sigurie dhe disi na ka mësuar të besojmë se për sa kohë nuk ka ushtarë në institucione, demokracia është e paprekur. Por kur e shohim librin e Levitsky dhe Ziblatt „How Demokracies Die“(Si vdesin demokracitë), vërejmë që kjo bindje është thellësisht mashtruese. Në librin e tyre autorët vërejnë që demokracitë moderne nuk rrëzohen më me grushte shteti por në fakt, ato rrëshqasin. Ato madje rrëshqasin brenda ligjit, brenda procedurës dhe brenda rregullave që dikur i mbronin. Dhe rreziku qëndron pikërisht në faktin që rrëshqitja nuk duket fare dramatike por neve na duket sikur ende jemi në normalen e deritanishme. Edhe Kosova sot ende nuk është diktaturë e as autoritarizëm i konsoliduar tërësisht, por rreziku nuk fillon aty ku gjithçka duket e errët, por aty ku gjithçka duket e arsyeshme.

-II- Zhgënjimi si terren politik

Rrëshqitja demokratike nuk nis me frikë, por me zhgënjim. Ky zhgënjim posaqërisht në shoqëritë tranzicionale krijohet me ndërtim të narracioneve dhe perceptimeve dhe krijon ndjenjën se demokracia nuk po funksionon, se institucionet kanë dështuar, se elitat e vjetra kanë tradhtuar. Këtë moment Ece Temelkuran e përshkruan saktë në librin e tij „How to Lose a Country“ (Si të humbasësh një shtet) kur thotë që shoqëritë nuk e braktisin demokracinë sepse e urrejnë lirinë, por sepse ata lodhen prej saj. Kur krijohet përshtypja se demokracia nuk prodhon më dinjitet, drejtësi dhe ndjenjë përkatësie, ajo fillon të perceptohet si teatër bosh dhe atëherë lind tundimi për një “zgjidhje të fortë”, për një pushtet që premton rend, moralitet dhe pastërti.

Në Kosovë, ky zhgënjim, pëpos tjerash, është kanalizuar shumë përmes një narrative populiste të theksuar morale duke krijuar një ndarje në mes të “ne” dhe “ata”. Njëra palë paraqitet si qytetari/populli i ndershëm dhe i pastër e tjetra si trashëgimi e korrupsionit, tradhtisë dhe dështimit. Kjo ndarje nuk është thjesht retorikë elektorale por është bazë e një transformimi më të thellë të rendit politik.

-III- Populizmi dhe zhdukja e pluralizmit

Sipas Jan-Werner Müller-it në „What Is Populism?“(Çka është populizmi), populizmi nuk përkufizohet nga kritika ndaj elitave, por nga pretendimi për përfaqësim ekskluziv moral. Populisti nuk thotë „vetëm ne i fituam zgjedhjet”, por ai thotë “vetëm ne jemi populli”. Në këtë logjikë, kundërshtari politik pushon së qeni rival dhe shndërrohet në problem moral e opozita nuk shihet më si pjesë e rendit demokratik, por si pengesë. Kjo është pika ku fillon të delegjitimohet pluralizmi si themel i çdo demokracie funksionale.

Në Kosovë, kjo logjikë është bërë gjithnjë e më e dukshme. Gjuha politike është thjeshtësuar dhe ashpërsuar. Debati është zëvendësuar me etiketime. Mediat kritike, gjykatat dhe institucionet e pavarura portretizohen si të kapura sa herë që nuk përputhen me narrativën e pushtetit. E krejt kjo nuk është shenjë e shëndetit demokratik por është shenjë e zhveshjes së pluralizmit nga legjitimiteti i tij.

-III- Kur institucionet shndërrohen në armë

Levitsky dhe Ziblatt flasin për tolerancën reciproke dhe vetëpërmbajtjen institucionale si erozion i “mbrojtëseve të buta” të demokracisë. Sipas tyre demokracia nuk bie kur ligji shkelet një herë por kur shoqëria mëson ta shohë shkeljen si diçka normale. Në Kosovë, ky normalizim ka ndodhur gradualisht. Kemi raste të përditshme kur sulmet ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë justifikohen si “luftë kundër kapjes”, por në fakt janë betejë e pushtetit për të i kapur ato. Vendimet që nuk i pëlqejnë pushtetit diskreditohen publikisht, e kemi raste kur vendimeve gjyqësore u paraprijnë politikanët në statuse në rrjete sociale me qëllim të vënjes në dyshim të autoritetit të institucioneve gjyqësore. Hetimet ndaj zyrtarëve qeveritarë paraqiten si komplot politik dhe ka pasur edhe raste ku hetues policorë janë degraduar pasi kanë nisur procedura ndaj figurave të pushtetit. Çuditërisht, kurrë nuk përmenden por lëhen në heshtje.

Ajo që e bën këtë proces veçanërisht të rrezikshëm nuk është vetëm veprimi, por kur shoqëria nuk alarmon por ajo e arsyeton këtë duke thënë “Edhe më parë ka qenë kështu”, “Po pastrohet sistemi” e deri te “Qëllimi e justifikon mjetin.” E pikërisht këto janë fjalitë që shënojnë momentin kur demokracia fillon të rrëshqasë pa rezistencë.

-IV- Zgjedhjet që nuk rrezikojnë më pushtetin

Një nga iluzionet më të forta të kohës sonë është ideja se zgjedhjet vetvetiu garantojnë demokracinë. Por te Cheeseman dhe Klaas në „How to Rig an Election“ (Si të manipulosh një zgjedhje) shohim që zgjedhjet fare lehtë mund të shndërrohen në instrument stabilizimi autoritar, krejt kjo ngase autoritarizmi modern nuk i zhbën zgjedhjet por i menaxhon ato. Manipulimi ndodh shumë përpara ditës së votimit duke përcaktuar rregullat e garës, përdorimin selektiv të institucioneve si dhe me delegjitimimin e opozitës. Kemi pasur raste të keqpėrdorimit të buxhetit në Kosovë i cili de facto është shfrytëzuar për blerje vote duke u shpërndarë në formë ndihme për qytetarët!

E në Kosovë, edhe kur shoqëria del pothuajse e ndarë në mënyrë të barabartë, fitorja elektorale interpretohet si mandat absolut moral. Në këtë rast demokracia reduktohet në aritmetikë, ndërsa thelbi i saj, pra konkurrenca reale, zbehet.

-V- Presidenti si provë e fundit e balancës

Debati aktual për zgjedhjen e Presidentit është kulmi i kësaj rrëshqitjeje. Jo rastësisht, Kushtetuta e Kosovës kërkon 80 vota në dy raundet e para. E Presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe ai duhet të jetë figurë balancuese, simbol i unitetit dhe garant i rendit kushtetues.

Narrativa se “konsensusi nuk është i nevojshëm sepse një parti ka 51%” është thellësisht problematike. Ajo e shndërron shumicën numerike në sovranitet të pakufizuar dhe e delegjitimon rolin kushtetues të opozitës. Presidenti, në këtë logjikë, nuk shihet më si balancë, por si pronë politike e fituesit.

Kur një parti kërkon jo vetëm Qeverinë dhe Kuvendin, por edhe Presidencën pa kompromis dhe pa konsensus, atëherë vërehet qartazi që ajo nuk po kërkon stabilitet por po kërkon mungesë frenash. Dhe historia na mëson se kur frenat hiqen atëherë përshpejtohet rrëshqitja.

-VI- Frika që vjen nga normalja

Temelkuran e thotë qartë që demokracitë nuk vdesin sepse njerëzit frikësohen, por sepse ata mësohen. Mësohen me sulme ndaj mediave, me diskreditim të gjyqësorit, me relativizim të shkeljeve, me përqendrim pushteti derisa një ditë zgjohemi në një vend ku gjithçka duket normale, por asgjë më nuk është e balancuar.

Rreziku për Kosovën nuk është një akt i vetëm, as një emër i vetëm. Rreziku është logjika se fituesi ka të drejtë gjithçka, se kundërshtari nuk ka legjitimitet dhe se institucionet duhet t’i shërbejnë vullnetit të një pale e jo tërë qytetarëve thjesht po normalizohet. E demokracitë nuk vdesin kur njerëzit frikësohen. Ato vdesin kur njerëzit pushojnë së alarmuari.

Dhe meqë u përmend, sot zgjedhja e Presidentit nuk është thjesht një procedurë kushtetuese por është një pasqyrë se ku Kosova po sheh veten. Andaj pyetja që mbetet e hapur deri në zgjedhjen e presidentit nuk është vetëm kush do të fitojë, por edhe çfarë po normalizohet. Krejt kjo ngase ajo që normalizohet sot, nesër nuk do të mund të ndalet më.

-VII- Opozita si bashkëfajtore: kur paaftësia, frika dhe egoja e ndihmojnë rrëshqitjen

Rrëshqitja e një demokracie drejt autoritarizmit nuk është kurrë vepër e një aktori të vetëm. Ajo nuk ndodh vetëm sepse pushteti dëshiron më shumë kontroll, por sepse dështon kundërpesha. Dhe në këtë dështim, roli i partive opozitare është vendimtar. E sot në Kosovë, rreziku aktual nuk buron vetëm nga ambicia e pushtetit për të përqendruar institucionet, por edhe nga paaftësia, frika dhe fragmentimi i opozitës për ta ndalur këtë proces.

Levitsky dhe Ziblatt, në „How Democracies Die“, theksojnë se demokracitë rrëshqasin më shpejt jo kur opozita shtypet brutalisht, por kur ajo vetëneutralizohet, kur ajo nuk arrin të formulojë alternativa bindëse, kur nuk e mbron rendin institucional sepse nuk di, dhe kur i trajton betejat demokratike si çështje taktike, jo ekzistenciale. Në këto rrethana, pushteti nuk ka më nevojë të eliminojë opozitën sepse ajo këtë punë e bën vetë.

Në Kosovë, partitë opozitare kanë dështuar ta kuptojnë natyrën e momentit historik. Në vend që të zhvillojnë një betejë të qartë për shtetin, për balancën institucionale dhe për rendin kushtetues, ato janë zhytur në beteja të brendshme, kalkulime personale dhe luftëra për pozicionim individual të akterëve brenda partive të tyre. Konfliktet për lidership, frika nga humbja e elektoratit dhe paaftësia për të ndërtuar një front minimal institucional i kanë shndërruar partitë opozitare në aktorë pasivë në një moment kur kërkohet qëndrim i fortë politik dhe moral.

Kjo sjellje nuk është thjesht gabim strategjik por është bashkëfajësi historike. Siç paralajmëron Ece Temelkuran në „How to Lose a Country“, autoritarizmi konsolidohet jo vetëm përmes agresivitetit të pushtetit, por përmes frikës dhe oportunizmit të elitave rivale, të cilat zgjedhin heshtjen, relativizimin ose marrëveshjet e vogla për të mbrojtur veten. Në këtë kuptim, opozita nuk është viktimë e autoritarizmit në formim por shpesh është bashkëpunëtore pasive e tij.

Një problem edhe më i thellë është mungesa e ndjenjës për shtetin te aktorët aktualë opozitarë. Ndryshe nga elitat politike të periudhave të mëparshme, me gjithë gabimet e tyre, që vepronin me vetëdijen se po ndërtonin ose po mbronin një shtet ende të brishtë, shumë prej aktorëve të sotëm duken të fokusuar pothuajse ekskluzivisht te pozicioni personal, te mbijetesa politike afatshkurtër dhe te kalkulimi elektoral. Kështu, shteti shihet si skenë, jo si përgjegjësi.

Këtë vakum moral e shfrytëzon pushteti në mënyrë perfekte. Sipas Jan-Werner Müller-it, populizmi lulëzon pikërisht kur opozita nuk arrin të artikulojë një alternativë legjitime dhe të besueshme. Kur opozita është e dobët, e përçarë dhe e pakuptueshme për qytetarin, pushteti e ka shumë më të lehtë ta paraqesë veten si i vetmi opsion moral dhe funksional. Në këtë kontekst, sulmi ndaj pluralizmit nuk has rezistencë serioze, sepse vet pluralizmi është bërë i paartikuluar.

Edhe në raport me institucionet, opozita ka treguar mungesë guximi politik. Sulmet ndaj gjyqësorit, delegjitimimi i mediave dhe relativizimi i procedurave kushtetuese shpesh janë pritur me reagime të dobëta, të vonuara ose të fragmentuara. Cheeseman dhe Klaas, në How to Rig an Election, tregojnë se autoritarizmi modern përparon më shpejt kur opozita nuk e mbron terrenin institucional, por merret vetëm me rezultatet zgjedhore, duke harruar se gara humbet shumë përpara ditës së votimit.

Në këtë mënyrë, opozita në Kosovë nuk është vetëm e pafuqishme. Ajo është bërë pjesë e problemit. Duke mos e trajtuar përqendrimin e pushtetit si rrezik sistemik, nëse nuk e mbron me vendosmëri parimin e konsensusit, veçanërisht në raste kyçe si zgjedhja e Presidentit, dhe duke mos dalë mbi interesat personale, partitë opozitare po kontribuojnë drejtpërdrejt në normalizimin e rrëshqitjes.

Historia politike është e pamëshirshme me opozitat e tilla. Ajo nuk i mban mend si viktima, por si bashkëfajtore të heshtura. Dhe rreziku për Kosovën nuk është vetëm se pushteti mund të marrë gjithçka, por se nuk ka më askënd që e kupton pse kjo nuk duhet të ndodhë.

Prof.Dr.Blerim Canaj, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT

Të fundit nga rubrika