Kur shteti ta merr jetën

Kur një i ri si Agon Zejnullahu vdes në rrugë, nga forca e përdorur mbi të, nuk bëhet fjalë për një incident. Është një alarm. Është thirrje për drejtësi. Është nevojë urgjente për reformë. Sepse nëse shteti nuk e ndëshkon vrasjen, atëherë është vetë pjesë e saj

Agon Zejnullahu nuk u vra në ndonjë rast krimi të organizuar, as nga ndonjë bandë. Ai vdiq në rrugë, në duart e atyre që paguhen për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Ishte 27 vjeçar. E kapën. E shtrinë për tokë. E përdorën forcën mbi të. E më pas – vdiq.

Nuk ka mënyrë tjetër për ta thënë: Agoni vdiq, sepse mbi të u ushtrua dhunë. Jo se ishte armik i shtetit, por qytetar i tij. Jo se paraqiste rrezik për shoqërinë, por sepse shteti e pa si problem, jo si njeri. Dhe vdekja e tij është një dështim total – moral, ligjor, njerëzor.

Policia lëshoi komunikatë, si zakonisht. Ndërkohë që një i ri ka vdekur, duke treguar fytyrën e vërtetë të policëve që u morën me të, shteti vazhdon ta mbrojë fytyrën e vet. Heshtja e zyrtarëve të lartë për goxha kohë dhemb. Sepse për ta, një jetë e humbur nuk duhet të jetë statistikë. Për familjen e Agonit është fundi i botës.

Publiku ka parë pamje të rënda, ka parë se viktima ishte në gjendje të rënduar. Ai kishte nevojë për ndihmë, për përkujdesje profesionale, për trajtim, jo për ushtrim force mbi të.

Por, Agoni nuk është rast i izoluar. Nuk është as gabim njerëzor i një polici të vetëm. Është simptomë e një kanceri institucional. E një kulture ku disa policë mund ta shohin qytetarin si armik, ku dhuna është mënyrë e natyrshme e veprimit, ku “kontrolli i situatës” barazohet me rrahje.

Rasti në Klinë e dëshmon këtë. Një qytetar, i lidhur me pranga, i dorëzuar, u rrah brutalisht nga një polic. Goditje të përsëritura, ndërkohë që viktima nuk mund të mbrohej. Para kamerave. Pa frikë. Pa ndërhyrje. Dhe ajo që të tmerron më shumë – heshtja e kolegëve, si bashkëpunëtorë në krim.

Janë këta pjesëtarë të “policisë më të mirë në rajon”, siç është cilësuar ndër vite Policia e Kosovës. Janë policë, të cilët duket se nuk dinë cila është përgjegjësia e tyre, cilat janë të drejtat e qytetarëve. Janë policë, të cilët e përdorin dhunën mbi qytetarë kur një gjë e tillë nuk është fare e nevojshme.

Rasti i Agon Zejnullahut nuk u raportua nga policia. Mbase për arsyet që mund t’i dinë vetë zyrtarët e këtij institucioni. Reagimet institucionale erdhën vetëm pasi gjithçka u publikua në media. Ky rast nuk është i vetmi, kur qytetarët vdesin në duart të shtetit. Nuk është rasti i vetëm kur përgjegjësia për autorët mungon.

* * *

Kjo është Policia e Kosovës që kemi ndërtuar. Një strukturë, në të cilën përgjegjësia individuale nuk duhet të fshihet prapa uniformës. Nuk duhet që dhuna të sanksionohet vetëm kur publikohet në video. Sa e sa raste të tjera nuk janë dokumentuar? Sa e sa herë të tjera dhuna ka mundur të ndodh larg kamerave? Sa herë të tjera nuk ka pasur dëshmitarë? Sa herë ka ndodhur dhe është fshehur? Askush nuk e di.

Nga Lipjani në Klinë, nga Prizreni në Prishtinë – dhuna është evidentuar. Sepse, nuk e ndalon askush. Ministria e Brendshme bën deklarata të përgjithshme, prokuroria pret raporte të autopsisë, policët suspendohen, zyrtarët heshtin për të mos “ndikuar hetimin”. Ndërkaq, qytetarët e humbin besimin, ngadalë.

Ndaj sa policëve janë ndërmarrë masa serioze? A duhet hedhur fajin “sjelljes së viktimës”? Kur një i ri vdes në rrugë, nga forca e përdorur mbi të, nuk ka më hapësirë për relativizim. Nuk bëhet fjalë për një incident. Është një alarm. Është një thirrje për drejtësi. Është nevojë urgjente për reformë. Sepse nëse shteti nuk e ndëshkon vrasjen, atëherë është vetë pjesë e saj.

Agon Zejnullahu duhej të ishte gjallë. Është detyrë e secilit prej nesh të kërkojë drejtësi për të – jo vetëm për hir të tij, por për të gjithë ata që mund të jenë Agonët e radhës. Sepse kur shteti ta merr jetën, në emër të rendit, atëherë çfarë mbetet nga rendi, përveçse një farsë e rrezikshme?

Të fundit nga rubrika