Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që të ketë vëzhgim të përpunimit të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Luginë të Preshevës nga bashkësia ndërkombëtare, pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se shifrat e paraqitura ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët.

“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura ende pa përfunduar procesi janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nga 1 tetori e deri më sot, shqiptarët që jetojnë në Serbi, e të cilët, në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjen masivisht procesit të regjistrimit.

“Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë të mos e trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë”, ka vijuar tutje Kurti.

Sipas Kurtit, në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana, nuk jetojnë shqiptarët në Serbi, sepse siç thotë ai, ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut.

“Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë”.

Sipas Kurtit, deklaratat e Vuçiqit dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare.

Regjistrimi i popullsisë në Serbi, shqiptarët e Luginës drejt 100 mijëshit