Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia përmes grupeve kriminale në veri nuk e lejon shtrirjen e demokracisë.

Sipas tij, Serbia nuk lejon në Kosovë të ketë më shumë se një parti serbe, duke aluduar në Listën Serbe.

Ai në Kuvendin e Kosovës ka thënë se qasja e ndërkombëtarëve nuk duhet të jetë e njëjtë si për Kosovën si për Serbinë, pasi sipas tij, kjo e fundit nuk është aspak demokratike.

“Qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë. Serbia është vend autokratik, nuk është vend demokratik. Aty shkelen liritë e njeriut, shtypet opozita dhe Rusia e ka qendrën e saj rajonale. Ne shqiptarët jemi 93% në Kosovë, sa shumë parti kemi. Aty në rreshtin e fundit i kemi pakicat jo serbët, i kemi romët, ashkalit, egjiptianët, boshnjakët, turqit, secila pakicë kombëtare i ka disa parti. Në vendin tonë ekziston një komunitet që nuk po lejon më shumë se një parti, vetëm Lista Serbe, dhe asnjë tjetër. Kosova sot nuk është demokratike në veri, sepse Beogradi nuk lejon më shumë se një parti. Beogradi, dëshiron një parti, shtet, një udhëheqës një kishë. Nuk ka demokraci pa pluralizëm politik”, ka thënë ai.

Po ashtu, kryeministri Kurti ka deklaruar se eskalimi i situatës në veri të Kosovës ishte i planifikuar mirë nga ana e Serbisë.

Ai ka thënë se për këtë gjë ka edhe prova, foto e video.

“Më 29 maj, një pjesë e mirë e bandave kriminale u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën, kemi pamje të mjaftueshme, me video dhe foto, se ishte mirë i organizuar, dhe kishte autor, ai është Beogradi zyrtar”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se Jabllanviq-i është kërcënuar nga Beogradi, duke ia pamundësuar kandidimin. Sipas tij, po të kandidonte, sot do të ishte kryetar i Leposaviqit.

“Më 21 prill, Lista Serbe bën thirrje për bojkot, në këtë ditë Aleksandër Jabllanoviq u tërhoq nga gara, po të mos tërhiqej ai, do të ishte kryetar i Leposaviqit”, ka thënë ai.

Tutje, kreu i qeverisë në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit ka thënë se nuk është e vërtetë që Policia e Kosovës ka hyrë në objekte komunale me forcë.