Kurti pas takimit me Escobar: Në Ohër shkojmë me vullnet e qëllime të mira

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, e ka përfunduar vizitën e tij në Kosovë me një takim me kryeministrin Albin Kurti, pas takimit të mëparshëm me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka pritur në Prishtinë të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në takim është diskutuar për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim.

Po ashtu, sipas njoftimit, propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, me njohjen reciproke në qendër.

“Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërkaq, Kurti e ka falënderuar Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.

Escobar gjatë vizitës së tij dyditore në Prishtinë, ka takuar edhe presidenten dhe kryeparlamentarin e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media pas takimit me Escobar, ka thënë se pritet që marrëveshja të ketë rezultate konkrete dhe se rendi kushtetues i Kosovës do të ruhet.

Osmani ka theksuar se përgjatë gjithë dialogut Kosovë-Serbi, në çdo proces duhet të ruhet rendi kushtetues dhe integriteti territorial i Kosovës.

Tutje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me Escobar, ka njoftuar se kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tashmë është bërë e ditur se Escobar do të jetë i pranishëm në takimin e Ohrit në cilësinë e vëzhguesit.

Në propozimin evropian për normalizim, të pranuar nga Kosova dhe Serbia, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve ka prezantuar statistikat për institucionet tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave për...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika