Kurti për 32-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut: Është koha të mendojmë për ribotimin e saj
Në përvjetorin e 32-të të Kushtetutës së Kaçanikut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është koha për ribotimin e saj si dokument historik, në edicione shkencore të shoqëruara me studime përkatëse. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka potencuar se përveç se dokument me vlera historike, ajo mund të […]
Në përvjetorin e 32-të të Kushtetutës së Kaçanikut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është koha për ribotimin e saj si dokument historik, në edicione shkencore të shoqëruara me studime përkatëse.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka potencuar se përveç se dokument me vlera historike, ajo mund të shërbejë edhe për përmbajtjen e saj profesionale, politikisht vizionare dhe historikisht të drejtë.
Atëkohë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës që u shpall në Kaçanik ishte shtypur në rreth 500 kopje, disa prej të cilave fatmirësisht kanë mbijetuar deri më tani, për t’u arkivuar dhe dëshmuar nga historia.
“Duke miratuar Kushtetutën e Kosovës që ishte propozuar në atë mbledhje, delegatët legjitimë të Kuvendit të Kosovës shpallën Republikën e Kosovës. Megjithëse kjo republikë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, ajo do të bëhej një themel i fortë i një tradite demokratike dhe shtetërore përmes së cilës, gjatë viteve ’90-të, shqiptarët e Kosovës manifestuan vullnetin e tyre politik në kuadër të Jugosllavisë që i shtypi dhe i diskriminoi, deri te lufta çlirimtare e vitit 1999”, ka shkruar Kurti.
Kurti, teksa ka kujtuar vlerën e këtij dokumenti, ka thënë se në dukje të përgjithshme ajo ditë ishte e zakonshme.
“Organet e sigurimit të Serbisë që zbatonin politikat shtypëse të Beogradit mbi Kosovë, ishin të përqendruara në Prishtinë, aty ku ishte suprimuar autonomia e Kosovës më 23 mars 1989, ku brenda dy muajsh ishin mbyllur Radio Televizioni i Prishtinës më 5 korrik dhe gazeta “Rilindja” më 5 shtator 1990”.
Siç shkroi Kurti, ata nuk e dinin që pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më dy korrik të vitit 1990, një grup juristësh ekspertë të së drejtës kushtetuese, ishin mbledhur për të hartuar një kushtetutë për Kosovën.


“Mes tyre ishin, Gazmend Zajmi, Ejup Statovci, Kurtesh Saliu, Ismet Salihu, Fatmir Fehmiu, Riza Smaka dhe Halit Muharremi. Deri në fillim të gushtit, në një afat rekord, aq më tepër kur merret parasysh niveli i tekstit që prodhuan, ata shkruan Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të parës republikë të Kosovës”, shtoi ai.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se gjithçka u bë në fshehtësi dhe konspiracion të plotë, deri më 7 shtator 1990, kur në shtëpinë e kulturës në qytetin e Kaçanikut, duke ndjekur shenja e kode sipas një plani të fshehtë, u mblodhën delegatët e Kuvendit të Kosovës për ta përplotësuar aktin e tyre të para dy muajve, Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut.
Pasi gjatë periudhës së vitete të 90-ta vendi ishte i mbushur me forca policore dhe ushtarake serbe, shpallja e Kushtetutës së Kosovës është bërë në Kaçanik më 7 shtator të vitit 1990 në një organizim të fshehtë.
Forcat serbe që ishin të pranishme kishin filluar spastrimin e hapur të institucioneve të Kosovës. Fillimisht, duke i mbyllur këto institucione, pastaj duke i larguar punëtorët shqiptarë dhe duke futur masat e dhunshme.
Delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës që kanë shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik 1990, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990.
Që nga viti 1990, data 7 shtator është cilësuar si identitet i fillimit të një historie të re për Kosovën.
Për shkak të afërsisë me kufirin e Maqedonisë së Veriut, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik. Po ashtu, mundësia e shpalljes së Kushtetutës në këtë qytet ishte më e lehtë.
Gjatë periudhës së viteve të 90-ta, Kosova ishte e pushtuar nga regjimi serb dhe nga forcat ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë. Pas shpalljes së Kushtetutës, në Kosovë filloi një periudhë më e vështirë me udhëheqjen e Sllobodan Millosheviq.
Këtu gjeni të plotë Kushtetutën e Kaçanikut.















