Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vdekjes së Ismail Kadares, e ka cilësuar atë si shkrimtarin shqiptar më të madh të të gjitha kohërave, duke theksuar se bota ka humbur shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.

“Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë,” ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Ai ka shtuar se arti dhe kultura shqiptare kanë një borxh të pamatshëm ndaj Kadaresë, ndërsa anija e romaneve të tij do të lundrojë pafundësisht për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë.

“Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, ka shkruar tutje Kurti.

Osmani pas vdekjes së Ismail Kadares: I gjithë populli shqiptar është në zi