Kurti për takimin në Bruksel: Vuçiq refuzoi të takohej – dhashë prova për rrëmbimin e policëve

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte refuzuar takimin me të në Bruksel dhe ka shtuar se ka dhënë prova për rrëmbimin e policëve kosovarë nga forcat serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas takimit me emisarët e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, ka deklaruar se gjatë takimit ka dhënë prova për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës që janë duke u mbajtur peng për më shumë se një javë nga Serbia.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Kurti ka thënë se me Borrellin dhe Lajçakun ka biseduar konkretisht për depërshkallëzimin e tensioneve në veri, organizimin e zgjedhjeve të reja dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë.

“U takova me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, por me presidentin e Serbisë, i cili refuzoi të marrë pjesë. Unë dhashë prova për rrëmbimin e 3 policëve tanë – të mbajtur për më shumë se një javë – dhe diskutova depërshkallëzimin, zgjedhjet e reja dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar ai në Twitter.

Po ashtu, Kurti edhe të mërkurën pas takimit para mediave ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar të takohet me të, derisa e fajësoi atë se po tenton të ikë nga zgjidhja e problemit që sipas tij vetë e ka krijuar.

Tutje, Kurti tha se zgjedhje në katër komunat e veriut do të ketë, por sipas tij gjithmonë sipas kornizave ligjore të Kosovës.

Kurti, po ashtu, ka thënë se njësia speciale do të largohet nga objektet e komunave, pasi sipas tij grupet ekstremiste të dalin para drejtësisë.

“I thashë që policia nuk është në afërsi të godinave, është brenda në ndërtesa dhe prania e tij nuk është e dëshirueshme për neve, por është e obligueshme për shkak ekstremistët e dhunshëm që kanë qëlluar te pjesëtarët e KFOR-it, policia dhe gazetarët. Ka pasur granata dore, plumba e revole. Nuk mund ta bëjmë zvogëlimin gradual dhe proporcional të policisë përderisa nuk ka përballje me drejtësinë këta elemente me drejtësinë. Zgjedhje të parakohshme pa dyshim, por ato duhet të kenë zgjidhje ligjore, nuk mund të bëhen jashtë ligjit”, ka thënë ai.

Situata sipas tij është tensionuar, për shkak që Serbia nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit.

Lexo edhe: Vuçiq pas takimit bilateral: S’kemi udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës

Ndryshe, pas takimit, Borrell ka thënë se me Kurtin dhe Vuçiqin pati më shumë se 4 orë diskutime, dhe se nga Kurti ka kërkuar që njësia speciale të largohet nga objektet komunale të veriut dhe kryetarët përkohësisht ta ushtrojnë detyrën në objekte alternative.

Kurse, nga Vuçiq, Borrell ka thënë se ka kërkuar që gradualisht të ndikojë në largimin e protestuesve rreth objekteve komunale në tri komunat e veriut.

Ndërsa, Vuçiq, pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes” për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di…kur kemi kamionë në pritje…”, ka thënë ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.

Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në përleshje në mes të serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Situata në mes të Kosovës dhe Serbisë është përkeqësuar më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.

Serbia ka thënë se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë pa kushte policët. Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja u kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika