Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se organet e sigurisë janë duke grumbulluar informacionet për rastin ku u vra një polic në Lozicë të Serbisë dhe raportohet se i dyshuar për vrasjen e tij është Artan Hajrizi.

Kurti ka bërë thirrje që të përcillen komunikatat e Policisë dhe institucioneve në lidhje me këtë rast. Teksa ka shtuar se kjo çështje nuk duhet të politizohet.

“Nuk kam diçka shtesë, mirëpo organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që të përcillni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë ai në konferencë për shtyp.

Vrasja e policit në Serbi, MPJD bën thirrje të shmanget lëvizja në territorin serb

Në Loznicë të Serbisë është vrarë një polic e një tjetër është plagosur rëndë rreth orës 00:55 të së enjtes.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizi– i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Daçiq, ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Sipas Ministrisë, njëri prej personave më pas ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Iliq Vjekosllav në shpatull, dhe më pas ka ikur.

Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Lozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.

Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë.