Kurti takon homologen e tij lituaneze, diskutojnë për mundësinë e thellimit të marrëdhënieve bilaterale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka takuar kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte. Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në këtë takim bilateral ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryeministres Simonyte, është diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe për mundësitë e thellimit të tyre, me […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka takuar kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në këtë takim bilateral ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryeministres Simonyte, është diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe për mundësitë e thellimit të tyre, me theks në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme që Lituania i ka dhënë Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe integrimin Euroatlantik.
Po ashtu, i pari i Qeverisë i ka pranuar edhe urimet e kryeministres lituaneze me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

Ndërkaq, ditën e dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kurti e kishte filluar me drejtuesin ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre dhe ish-kongresistin amerikan, Theodore Deutch.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me drejtuesin ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre, dhe ish-kongresistin amerikan, Theodore Deutch
Me Deutch, kryeministri Kurti ka diskutuar për arritjet kryesore të Qeverisë në këto dy vjet.
Po ashtu, në njoftim thuhej se gjatë takimit është diskutuar edhe për progresin ekonomik dhe demokratik, suksesin në luftimin e krimit dhe korrupsionit, përmirësimin në raportet ndërkombëtare dhe reformat në drejtësi dhe sundim të ligjit.
Gjithashtu, Kurti këtë të diel duke i renditur të gjitha takimet që ka zhvilluar ditën e parë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka thënë se do të ketë edhe takime të tjera të rëndësishme gjatë ditës së dytë të konferencës.
Kujtojmë se, Kurti ka zhvilluar disa takime në kuadër të Konferencës së Mynihut, ai është takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e po ashtu edhe me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.

Propozimi franko-gjerman ka qenë ndër temat kyçe që kryeministri Albin Kurti ka diskutuar të shtunën në Mynih me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Shcolz.
Këto takime po konsiderohen si përgatitje për takimin e nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe presidentit serb, Vuçiqit, që është planifikuar për datën 27 shkurt në Bruksel.

Në takim me Borrell e Lajçak është diskutuar për procesin e dialogut, propozimin evropian dhe për takimin e radhës së nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që u caktua të mbahet më 27 shkurt në Bruksel.















