Në politikë shpesh krijohen mite për borxhe që në të vërtetë nuk ekzistojnë. Kur raportet mes aleatëve prishen, këto mite shndërrohen në akuza publike. Një prej debateve të fundit është nëse kryeministri Albin Kurti i ka borxh presidentes Vjosa Osmani një mandat të dytë në krye të shtetit. Një pyetje tingëllon e thjeshtë, por në fakt hap një debat shumë më të gjerë: kush i ka borxh kujt në politikën kosovare dhe çfarë nënkupton posti i presidentit në një republikë parlamentare si Kosova?
Presidenti, sipas logjikës së sistemit politik kosovar, nuk duhet të jetë i askujt. As i një partie, as i një lideri, as i një shumice parlamentare. Ai ose ajo duhet të jetë mbi palët. Por, historia e zgjedhjes së presidentëve në Kosovë rrallë ka qenë e tillë. Vjosa Osmani u zgjodh presidente në vitin 2021 me votat e shumicës parlamentare të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe me mbështetjen e disa deputetëve nga opozita. Pa votat e kësaj shumice, ajo nuk do të ishte presidente. Ky është fakt politik, jo interpretim.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ajo i detyrohet politikisht kryeministrit apo partisë së tij. Në momentin kur një president zgjidhet, mandati i tij duhet të shkëputet nga logjika e aleancave që e sollën në pushtet. Kjo është teoria. Por, praktika shpesh është tjetër gjë.
Gjatë pesë viteve në presidencë, Osmani në shumicën e rasteve ka qenë në linjë politike me Kurtin. Nuk ka pasur përplasje serioze publike mes tyre dhe presidenca nuk është shndërruar kurrë në një kundërpeshë politike ndaj qeverisë. Përkundrazi, në shumë raste ajo është perceptuar si aleate politike e qeverisë.
Në një sistem ku presidenti duhet të jetë figurë mbi partitë, perceptimi është po aq i rëndësishëm sa edhe realiteti. Dhe perceptimi publik për një kohë të gjatë ishte se Kurti dhe Osmani përbënin një tandem politik. Ky tandem nuk ishte i fshehtë. Ai kishte rrënjë edhe në historinë e përbashkët politike të Osmanit dhe Vetëvendosjes, sidomos pas largimit të saj nga LDK’ja dhe afrimit me kampin politik që më vonë e mbështeti për presidente. Pikërisht për këtë arsye sot lind pyetja: nëse marrëdhënia ka qenë kaq e afërt, a ka Kurti një detyrim politik që ta mbështesë Osmanin për një mandat të dytë? Përgjigjja e shkurtër është: jo.
Në një republikë parlamentare presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Dhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij është kolektive. Nuk është një vendim personal i kryeministrit. Nëse Kosova dëshiron një president që përfaqëson unitetin e vendit, atëherë emri duhet të jetë konsensual, ose të paktën i pranueshëm për një spektër të gjerë politik. Kjo është përgjegjësi e shumicës, por edhe e opozitës. Megjithatë, në praktikë barra më e madhe bie mbi kryeministrin dhe partinë që ka shumicën parlamentare. Prandaj Kurti ka përgjegjësinë kryesore që të kërkojë një emër që mund të mbledhë mbështetje më të gjerë në Kuvend. Por kjo nuk do të thotë se ky emër duhet të jetë patjetër Vjosa Osmani.
* * *
Pyetja thelbësore është tjetër: a është Osmani një figurë konsensuale? Nëse shikohet klima politike në vend, përgjigjja duket e komplikuar. Opozita e ka kritikuar shpesh presidencën për afërsinë me qeverinë dhe për mungesën e një distance institucionale nga pushteti ekzekutiv.
Nga ana tjetër, përkrahësit e Osmanit argumentojnë se ajo ka qenë një presidente aktive në politikën e jashtme dhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës. Të dyja këto mund të jenë të vërteta në të njëjtën kohë. Por pyetja për një mandat të dytë nuk është vetëm çështje performance. Është çështje besimi politik. Nëse një pjesë e madhe e spektrit politik nuk e sheh presidentin si figurë të përbashkët, atëherë vështirë se mund të flitet për konsensus.
Dhe këtu lind një tjetër dilemë interesante politike. Për pjesën më të madhe të mandatit të saj si presidente, Osmani nuk ka qenë kritike ndaj qeverisë së Kurtit. Përkundrazi, ajo shpesh është rreshtuar në të njëjtën vijë politike me të. Kjo nuk është domosdoshmërisht problem nëse dy institucionet ndajnë të njëjtin vizion për vendin. Por, problemi shfaqet kur raporti ndryshon papritur.
Në momentin kur në skenën politike fillon të përmendet mundësia që Kurti të mos e mbështesë për një mandat të dytë, retorika ndryshon dhe kritikat ndaj qeverisë bëhen më të forta. Kjo e bën debatin edhe më të ndërlikuar, sepse krijohet përshtypja se përplasja nuk lidhet vetëm me parime politike, por edhe me kalkulime për mandatin e ardhshëm.
Në politikë, natyrisht, kalkulimet janë të pashmangshme. Por, për një presidente që duhet të jetë mbi interesat partiake, kjo është një terren i rrezikshëm. Nëse kritikat ndaj qeverisë vijnë vetëm kur rrezikohet mbështetja politike për një mandat të dytë, atëherë ato mund të duken më shumë si taktikë sesa si parim. Dhe kjo dëmton vetë institucionin e presidencës.
Kosova ka pasur mjaftueshëm kriza rreth zgjedhjes së presidentëve. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar procese zgjedhore, Kuvendi ka dështuar të sigurojë kuorum dhe vendi ka rrezikuar zgjedhje të parakohshme për shkak të kësaj çështjeje. Prandaj, zgjedhja e presidentit nuk duhet të jetë betejë mes dy individëve apo dy kampeve politike, por moment reflektimi për atë se çfarë figure i duhet vendit.
A i duhet Kosovës një presidente që vazhdon mandatin e saj? A i duhet një figurë e re që mund të ndërtojë ura mes partive? Apo një kandidat që mund të sigurojë stabilitet politik në një kohë të tensionuar ndërkombëtarisht? Këto janë pyetjet reale. Debati për borxhe politike është më shumë retorikë, sesa realitet. Në fund të fundit, në demokraci askush nuk i ka borxh askujt një mandat.
Mandatet fitohen ose në zgjedhje, ose me vota në parlament.
Nëse Vjosa Osmani dëshiron një mandat të dytë, ajo duhet të bindë një shumicë deputetësh se është figura më e përshtatshme për këtë post. Nëse Albin Kurti mendon se një emër tjetër mund të jetë më unifikues, ai ka të drejtë politike ta propozojë atë. Dhe nëse opozita dëshiron një president konsensual, ajo duhet të jetë e gatshme të kontribuojë në gjetjen e një figure të tillë.
Sepse në fund, pyetja nuk është kush i ka borxh Vjosa Osmanit. Pyetja është shumë më e thjeshtë: a ishte ajo presidente e të gjithëve, apo vetëm e një kampi politik?