Para fillimit të seancës së 41-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile kanë mbajtur sërish një protestë për të shprehur pakënaqësinë ndaj bllokadës politike që po zvarrit funksionalizimin e institucioneve.

Ashtu si në protestat e mëparshme, aktivistët u mblodhën para hyrjes kryesore të Kuvendit, duke mbajtur pankarta me mesazhe drejtuar partive politike: “Boll!”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “Nuk kemi kohë me humb”, “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni”, dhe “Institucionet nuk janë për pazare”.

Këto reagime vijnë pas më shumë se katër muajsh ngecjeje, që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 9 shkurtit.

Megjithëse kanë kaluar 40 seanca të dështuara, ku Kuvendi ende nuk ka zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, çka po e pengon formimin e institucioneve të reja.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se legjislatura e re duhet ta përfundojë procesin e konstituimit brenda një muaji.