Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, do të bëjë një vizitë zyrtare në Kosovë këtë të hënë dhe do të qëndrojë edhe nesër.

Lajmin për portalin Dukagjini e ka konfirmuar Ioanna Lachana nga zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

“Po, Lajçaku është në Kosovë sot edhe nesër”,  është shprehur Ioanna Lachana nga zyra e BE-së.

Siç ka raportuar REL-i, Lajçak do të mbërrijë në Kosovë të hënën pasdite për t’u takuar me liderët kosovarë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.

Lajçaku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.

Vizita e Lajçak në Kosovë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, kur kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, zhvilluan bisedime të ndara me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, së bashku me zyrtarë të BE-së.

Para këtyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë, në krye me Miroslav Lajçak, vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe prezantuan një draft-statut për Asociacionin, një model modern evropian, por për të cilin përmbajtja ende nuk është bërë e ditur deri më tani.

Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq ka qenë i vendosur në qëndrimin e tij për të mos pranuar asgjë që nënkupton njohjen de facto të Kosovës.

Ndryshe, të dyja palëve u është bërë e qartë se zbatimi i marrëveshjeve është rruga e vetme drejt integrimit në BE për të dyja vendet.