Ish-prokurori Elez Blakaj i ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, për mënyrën se si kanë debatuar në seancën e sotme.

Ai e ka cilësuar si “debat të ulët”, atë që bënë deputetët, “me theks të veçantë, ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasikë”.

Ai ka thënë se përfitues nga rrëmuja e krijuar janë ata, të cilët sipas tij, janë kundër reformave në drejtësi.

Blakaj i cili që disa vite jeton në ShBA, bëri thirrje të mos flitet apo komentohet për drejtësinë, sepse sipas tij, do të ketë më shumë reforma.

“Është e dukshme dhe e kuptueshme se përfituesit më të mëdhenj nga e gjithë kjo rrëmujë janë të gjithë ata të cilët nuk janë të interesuar të ketë reforma në drejtësi. Madje, të gjithë këta përfitues, lutën vazhdimisht që të ketë sa më shumë debate, tensione, komente dhe përplasje të tilla, sepse kështu mbijetojnë! Andaj, sa më pak që flitet dhe komentohet për ‘drejtësinë’, aq më shumë reforma do të kemi!”, tha ai.

Ai po ashtu kërkoi nga institucionet që ta lajmërojnë secilën vepër penale, në mënyrë që të gjitha rastet të zbardhen.

“Secili qytetar, në veçanti institucionet, duhet ta lajmërojnë çdo dyshim për secilën vepër penale dhe të bashkëpunojnë ngushtë me organet kompetente në të gjitha fazat e procedurës në interes të zbardhjes së rastit, pavarësisht kush është emri i përveçëm e/i të dyshuarit e po ashtu sjelljes, motivit dhe performancës së zbehtë të organeve të drejtësisë!”, ka thënë ai.