Luftëtarët e fundit të Mariupol-it kanë mbetur të ngujuar në fabrikën e çelikut

Mariupol-i është bërë qyteti më i bombarduar dhe më i dëmtuar në luftën e Ukrainës me Rusinë, pasi ka pësuar peshën e madhe të sulmeve të vazhdueshme ruse. Një prej mbrojtësve të Mariupol-it, ka deklaruar se në fabrikën e çelikut ka të plagosur dhe të vdekur

Pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi bllokadën totale të fabrikës së çelikut Azovstal, brenda së cilës gjenden mbrojtësit e fundit të Mariupol-it, nën tokë në kompleksin e fabrikës kanë mbetur mbi 2 mijë ushtarë dhe civilë ukrainas.

Një nga mbrojtësit e fundit ukrainas, Svyatoslav Palamar, i cili është pjesë e batalionit Azov në Mariupol, ka thënë se fabrika brenda së cilës po fshihen, është e rrethuar dhe e shkatërruar mbi sipërfaqen e tokës, kurse civilët kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja.

Kapiteni Palamar, gjithashtu, ka thënë se rusët kishin qëlluar mbi fabrikën e çelikut nga anijet luftarake.

“Të gjitha ndërtesat në territorin e Azovstal janë pothuajse të shkatërruara. Ata hedhin bomba të rënda, bomba që shkatërrojnë bunkerët, të cilat shkaktojnë shkatërrime të mëdha. Ne kemi të plagosur dhe të vdekur brenda bunkerëve. Disa civilë mbeten të bllokuar nën ndërtesat e shembura,” ka deklaruar kapiteni Palamar, për BBC-n, transmeton RTV Dukagjini.

Svyatoslav Palamar, ushtari ukrainas në Mariupol

Palamar nuk ka folur për numrin e mbrojtësve ukrainas, por ka thënë shkurt se ka “mjaftueshëm për t’u kundërpërgjigjur sulmeve ruse”.

Madje, ai theksoi se civilët janë ndarë në dy vende, larg luftëtarëve, por nga mosinformimi i saktë, disa prej tyre janë shpërndarë nëpër bunkerë.

“Jemi në kontakt me civilët që po qëndrojnë në ato zona ku mund të shkojmë. E dimë se atje ka fëmijë, madje edhe tremuajsh”, ka shtuar ai.

Kapiteni ukrainas ka bërë apel që civilëve t’u lejohet një kalim i sigurt nga fabrika, dhe u ka bërë thirrje shteteve të treta apo bashkësisë ndërkombëtare që të garantojnë për sigurinë e tyre.

“Këta njerëz tashmë kanë kaluar mjaftueshëm nëpër gjëra të tmerrshme. Nuk u besojnë rusëve dhe janë shumë të frikësuar”, ka shtuar ai, duke theksuar se po i frikësohen torturave dhe vrasjes nga ana e ushtarëve rusë apo depërtimit në Rusi.

Ai ka thënë se civilët ishin në bodrume me nga 80-100 persona secili, por ishte e paqartë se sa civilë kishte gjithsej, pasi disa nga ndërtesat ishin shkatërruar dhe luftëtarët nuk mund t’i arrinin ato për shkak të granatimeve. Hyrja në disa prej bunkerëve u bllokua nga pllaka të rënda betoni që vetëm makineritë e rënda mund t’i lëvizin.

Tymi që ngrihet mbi uzinën Azovstal pas një bombardimi rus

Gjithashtu, ai deklaroi se civilët e moshuar në fabrikën e çelikut kishin nevojë për ilaçe, ndërkohë, që kishte edhe rreth 500 luftëtarë të plagosur rëndë, të cilët nuk po merrnin kujdesin e nevojshëm, duke përfshirë operacione të rënda si, amputimet, prerja dhe ndarja e një gjymtyre nga trupi.

“Pas 52 ditësh bllokadë dhe luftimesh të ashpra, neve po na mbarojnë ilaçet. Dhe pastaj ne, gjithashtu, mbajmë trupat e pavarrosur të luftëtarëve tanë, të cilët duhet t’i varrosim me dinjitet në territorin e kontrolluar nga Ukraina,” ka thënë ushtari ukrainas Palamar.

Si dëshmi nga BBC, është deklaruar më parë një komandant marinar ukrainas, gjithashtu, në fabrikën e çelikut, i cili ka thënë se luftëtarët ishin më të shumtë në numër ndërsa atyre po u mbarojnë furnizimet.

Presidenti rus, Vladimir Putin, të enjten e përshkroi një plan për të sulmuar fabrikën e çelikut Azovstal si “jopraktik” dhe në vend të kësaj bëri thirrje që trupat ruse të bllokojnë zonën, duke thënë, “në mënyrë që një mizë të mos mund të kalojë”.

Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi në Kremlin, ku ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, i paraqiti Putinit një raport për betejën e ndjekur nga afër për qytetin port ukrainas dhe pretendoi se qyteti ishte “çliruar”, megjithëse luftimet ishin në vazhdim.

Pjesa më e madhe e Mariupol-it është shkatërruar gjatë javëve të bombardimeve të rënda ruse dhe luftimeve intensive në rrugë.

Marrja e portit të Detit Azov është një qëllim kyç i luftës ruse. Ajo do të dërgojë më shumë trupa për t’iu bashkuar ofensivës në rajonin lindor të Donbasit, shkruan BBC, transmeton RTV Dukagjini.

Regjimenti Azov është i përfshirë në Gardën Kombëtare të Ukrainës. Luftëtarët e saj së bashku me një brigadë marine, rojë kufitare dhe oficerë policie janë mbrojtësit e fundit ukrainas të mbetur në qytet.

Fabrika e hekurit dhe çelikut Azovstal në Mariupol

Ukraina ka akuzuar forcat ruse për bombardimin e strehimoreve të civilëve dhe për përdorimin e armëve të ndaluara ose të kufizuara nga ligji ndërkombëtar, duke përfshirë bomba fosfori dhe municione thërrmuese, në sulmet në Azovstal.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar se do të hetojnë për përdorimin e mundshëm të armëve kimike në Mariupol, diçka që Rusia e kishte mohuar. Pavarësisht kësaj, ata nuk janë dorëzuar duke ditur që, nëse Mariupol-i do të kapej, Rusia, gjithashtu, do të përfundonte me kontrollin e plotë të Detit Azov, kështu duke ndërprerë tregtinë e saj detare dhe duke e izoluar më tej atë nga bota.

Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika