LVV për dënimin e Mustafës: I papranueshëm, liria dhe pushtimi nuk barazohen kurrë
Lëvizja Vetëvendosje(LVV) ka reaguar lidhur me dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa me 26 vjet burgim, të premten e 16 dhjetorit. “Salih Mustafa ka qenë luftëtar i lirisë. Ai bashkë me shokë e shoqe në UÇK u angazhuan për të mbrojtur kombin shqiptar të cilin Serbia dëshironte ta zhdukte prej Kosovës, gjatë viteve të […]
Lëvizja Vetëvendosje(LVV) ka reaguar lidhur me dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa me 26 vjet burgim, të premten e 16 dhjetorit.
“Salih Mustafa ka qenë luftëtar i lirisë. Ai bashkë me shokë e shoqe në UÇK u angazhuan për të mbrojtur kombin shqiptar të cilin Serbia dëshironte ta zhdukte prej Kosovës, gjatë viteve të pushtimit”, ka shkruar LVV.
Lëvizja Vetëvendosje ka shtuar se dënimi i Salih Mustafës nga Gjykata Speciale me 26 vite burgim është i papranueshëm për ta.
“Shpresojmë që në shkallën e Apelit ish-luftëtari Salih Mustafa të pastrohet nga akuzat, të cilat nuk po duket se kanë dëshmi e prova për përgjegjësitë e tij direkte”.
“Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje speciale e eksperimente, por për institucione normale si të çdo vendi tjetër. Edhe drejtësia jonë duhet të rrjedhë nga funksionalizimi i gjykatave normale e jo duke themeluar gjyqe speciale”.
Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se mbi 12 mijë shqiptarë janë vrarë nga serbët e armatosur si ushtri, polici e paramilitarë. Mbi 20 mijë janë viktima të dhunës seksuale të përdorur si mjet lufte nga serbët.
“Ende të pagjetur janë 1653 persona, ndërsa në gjithë vitet e pasluftës janë zbuluar varreza masive me trupa shqiptarësh në Serbi. Mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale, fabrika të shqiptarëve janë djegur e shkatërruar nga serbët deri para çlirimit në 12 qershor 1999”.
Mes tjerash LVV ka potencuar se vetë termi “spastrim etnik” është krijuar në Serbi, “si një lloj formule për të mos thënë gjenocid”.
“E megjithatë vetëm 26 serbë janë dënuar për krime lufte. Millosheviqit nuk iu shqiptua dënim nga drejtësia ndërkombëtare. Në gjyqin e Stanishiqit, shefit të shërbimit sekret serb që themeloi paramilitarët dhe u përfshi direkt në gjenocid, pati ndikim politik që të mos dënohej rëndë”.
Tutje LVV ka shtuar se “sot Serbia është e angazhuar në destabilizimin e Kosovës, duke sponsorizuar kriminelë që ngrenë barrikada e që lënë të vdesin nga mungesa e mjekimit vetë qytetarët serbë të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë çdo ditë me luftë duke përmendur kthimin e trupave ushtarake në Kosovë ndërkohë që provon ta destabilizojë edhe Bosnjen e Malin e Zi”.
“Prandaj na dhemb dhe e shohim si të papranueshëm dënimin që po i bëhet shqiptarëve si Salih Mustafa, të cilët atëherë po edhe tash janë gjithmonë në pozita mbrojtëse përballë agresionit”.
LVV ka potencuar se barazimi i agresorit me mbrojtësin, relativizimi i të drejtës për çlirim e për rezistencë, “janë gjëra që nuk do t’i pranojmë kurrë”.















