Mbahet mbledhje komemorative në nderim të ish-kryeministrit Bujar Bukoshit
Në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryeministrit Bujar Bukoshit, u mbajt një mbledhje komemorative me pjesëmarrjen e figurave të larta politike, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Dr. Bujar Bukoshi u vlerësua si një nga figurat më të rëndësishme politike dhe intelektuale të Kosovës, me një rol kyç në rezistencën ndaj regjimit serb dhe në […]
Në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryeministrit Bujar Bukoshit, u mbajt një mbledhje komemorative me pjesëmarrjen e figurave të larta politike, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Dr. Bujar Bukoshi u vlerësua si një nga figurat më të rëndësishme politike dhe intelektuale të Kosovës, me një rol kyç në rezistencën ndaj regjimit serb dhe në sensibilizimin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.
Ai ishte kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil dhe një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në fushën e shëndetësisë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Bukoshi ishte një nga figurat më të rëndësishme të viteve ’90.
““Sot janë mbushur 26 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe sa herë që i qasemi historisë, një nga emrat kyç që kujtojmë është ai i Dr. Bukoshit. Në kronikat dhe lajmet e asaj kohe, emri i tij ishte gjithandej. Bujar Bukoshi ishte dhe do të mbetet histori si kryeministri i parë i Republikës së Kosovës. Emri i tij është përjetësuar edhe në dokumentin themeltar të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Në emër të familjes foli vajza e tij, Shota Bukoshi, e cila falënderoi të pranishmit për respektin dhe vlerësimin.
“Ky është një nga fjalimet më të vështira për mua. Ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj. Ju e njihni si veprimtar, si mjek e si kryeministër. Ne e kemi njohur si baba, bashkëshort dhe gjysh. Ishte po aq i saktë si mjek, sa ishte i guximshëm dhe mbështetës në jetën tonë”, tha ajo.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, kujtoi miqësinë dhe bashkëpunimin me Bukoshin që nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.















