Faji kolektiv nuk është çështje që mund të merret me kaq lehtësi. Me vite të tëra është diskutuar kjo çështje në rastin e nacizmit gjerman dhe vështirë mund të thuhet se është arritur ndonjë pajtim koncensual rreth përcaktimit të fajit kolektiv. Në praktikë çështja e fajit kolektiv gjerman është tejkaluar përmes denacifikimit të Gjermanisë dhe gjetjes së rrugëve imediate të pajtimit evropian, parasëgjithash të pajtimit mes francezëve dhe gjermanëve. Ndoshta një skenar i ngjashëm do të mund të aplikohej edhe në Kosovë, edhe pse për këtë mungon elementi kryesor i pajtimit evropian, okupimi i plotë i Serbisë, si parakusht për fillimin e mjekimit të Serbisë nga mbisundimi i paranojave, skizofrenisë dhe megalomanisë kombëtare.
Sa i përket raporteve shqiptaro-serbe, pikënisja e çdo procesi të pajtimit duhet të jetë ndjekja dhe dënimi i krimit. Të ikurit serbë duhet të vetëdijesohen se e zeza e tyre nuk kanë qenë shqiptarët dhe NATO, por regjimi serb. Nuk mund të ketë pajtim shqiptaro-serb, derisa në Serbi në pushtet mbetet Millosheviqi, ose nesër dikush që do ta zëvendësoj atë pa e korrigjuar qëndrimin ndaj shqiptarëve dhe çështjes së Kosovës. Sepse Milosheviqin do të mund ta zëvendësonte Shesheli, ose ndonjë kriminel tjetër i luftës. Kjo është një formulë e thjeshtë që mundëson tejkalimin e antinomisë së përgjegjësisë kolektive. Është vërtetë e saktë se faji mbi krimin u takon atyre që e kanë bërë atë konkretisht, ose që në këtë apo ndonjë mënyrë tjetër kanë qenë bashkëpjesëmarrës dhe përkrahës të tij, dhe jo assesi të gjithë atyre që kanë përkatësi të njëjtë kombëtare dhe fetare me kriminelët. Millosheviqi dhe të gjithë ata që e përkrahën dhe ndihmuan, vërtetë janë thirrur në emër të serbëve, po kjo nuk do të thotë se të gjithë serbët janë kriminel dhe fajtor. Po të jetë edhe një serbë që e kundërshtonte Milosheviqin, e të tillë ka pasur, krimi dhe fajësia logjikisht dhe faktikisht nuk mund të përgjithësohen.
Vetëm se ky argument logjik s’mund të shfrytëzohet për shfajësimin e kombit serb, siç thonë disa duke i ikur çdo bisede për fajin kolektiv. Faji kolektiv serb duhet të shqyrtohet haptazi jo vetëm pse krimi është bërë në emër të kombit serb, por edhe ngase logjikisht dhe faktikisht nuk mund të mohohet se krimin e kanë bërë, ose kanë qenë bashkëpjesëmarrës, shumica e serbëve. Është një fakt i pamohueshëm se shumica e serbëve e kanë votuar dhe përkrahur regjimin kriminel.
Kur patriku i kishës ortodokse serbe Pavle sot deklaron se turpërohet që Millosheviqi është i krishterë dhe se duhet të bartë përgjegjësinë për krimet e veta, – kjo është e mirëseardhur, por jo edhe e mjaftueshme. Kisha serbe dhe vetë patriku do të duhej të gjenin forcë që të shohin edhe fajin e vetë për krijimin e përbindëshit Millosheviq, ngase fillimisht i jepnin përkrahje të plotë politikës së tij antishqiptare dhe anti kombeve të tjera që bënin pjesë në ish federatën Jugosllave. Kështu, deklarimi i vonshëm kundër krimeve të lë përshtypjen se Kisha Serbe është zemëruar në Millosheviqin shkaku i pasojave katastrofale të politikës së tij për vetë kombin serb, dhe jo me vetëdijesimin e plotë se edhe kisha ka qenë bashkëpjesëmarrëse në hartimin e planeve të cilat që nga fillimi kanë qenë të parealizueshëm dhe me projektim të qartë të mbisundimit dhe të zhdukjes së fqinjëve. Po të ishte Kisha Serbe e pastër në gjithë projektin e dështuar serbomadh, patriku do të deklaronte gabimin e moskundërshtimit të Millosheviqit që nga koha e pushtimit të dhunshëm të Kosovës më 1989-1991. Një test për ambiciet serbomëdha të Kishës Ortodokse Serbe është edhe mosnjohja e autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Maqedonisë. Por, le të mbetet kjo çështje e ekzorcizmit serb, ku doemos duhet të spastrohet edhe çështja e aporisë së fajësisë kolektive.
Faji individual dhe faji kolektiv
Aporia e fajësisë kolektive konsiston në atë se nuk bëhet dallimi i qartë mes fajit individual dhe fajit kolektiv. Sa i përket fajit individual ose edhe pafajësisë individuale, kjo është diçka që ka të bëjë me veprimet dhe mosveprimet e dëshmueshme të individëve ndaj krimeve të bëra. Problemi i konstatimit të fajit kolektiv ngritet si i tillë në momentin kur dëshmohet pafajësia e një individi, ose grupi individësh. Kjo dëshmi sigurohet lehtë. Vërtet ka serbë që nuk kanë marrë pjesë në krime, ose kanë qenë hapur kundër Millosheviqit ose edhe e kanë përkrahur aksionin ndëshkues të NATO-s. Mirëpo, duke u nisur nga kjo, disa individë, janë ngutur që të nxjerrin konkluzën e gabuar se, meqë tërësia e korpusit të kombit serb nuk ka qenë e involvuar në krime, nuk mund të konkludohet faji kolektiv serb, por vetëm fajet individuale të autorëve të krimeve. Logjikisht, kjo duket e drejtë. Mirëpo, nëse ky argument do të pranohej si i tillë, pasoja e tij do të ishte se një pjesë individësh të pafajshëm të përkatësisë kombëtare serbe do të shfajësonin grupet e mëdha individësh që kanë bërë krime që janë dëshmuar jo vetëm si krime të autorësisë individuale, por edhe si krime të grupeve ose kolektive që nuk kanë vepruar si individë, por si pjesë të makinerisë ushtarake dhe politike serbe. Individët e pafajshëm nuk mund të shfajësojnë kolektivitetet serbe të inkuadruara në këto krime. Kombi serb, si edhe kombet tjera, është një entitet i përbërë. Kjo do të thotë se nuk janë të gjithë individët serbë me cilësi të njëjta, dhe se kolektiviteti serb nuk është një entitet homogjen, por është i përbërë nga nënkolektivitet, nga nënklasat dhe grupet participuese në atë që quhet identitet dhe përkatësi serbe.
Kështu, ne do të mund të konstatonim me një matje aproksimative se ekzistojnë së paku dy grupime serbe: e para, serbët me prirje kriminele (Sk), dhe, e dyta, serbet e ndershëm (Sn) që kanë qenë kundër krimit në Kosovë dhe krimeve të mëparshme. Po kështu, mund të themi se të parët janë shumicë dërmuese, dhe të dytit një pakicë e dukshme. Duke u nisur nga ky dallim shumë më lehtë do të mund të atribuonim një përgjegjësi kolektive dhe individuale në spektrin e asaj pjese të kombit serb që e shenjuam si Sk, ndërkaq që kjo nuk do të vlente për individët por edhe për kolektivitetin që e shenjuam me Sn. Pjesa dërmuese e organizmave serbë është inkuadruar në krimet e gjenocidit në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Millosheviqi është vetëm maja e piramidës së krimit. Populizmi serb i fundit të viteve ’80-ta tregon një spektër të gjerë të organizatave të inkuadruara në përgatitjen e krimit të gjenocidit, fillimisht në Kosovë, e pastaj edhe në pjesët e tjera të Jugosllavisë të përfshirë në luftëra, kryesisht kundër civilëve. Janë shumë institucione në Serbi dhe Jugosllavi që mund të konsiderohen si bartëse të përgjegjësisë kolektive: institucionet shtetërore si Kuvendi dhe Qeveria e Serbisë, Partia Socialiste e Serbisë, E Majta e Bashkuar Serbe, Partia Radikale Serbe, Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe Arteve Serbe, Lidhja e Shkrimtarëve Serbe etj. Këto organe kolektive kanë përgatitur dhe përkrahur politikën dhe veprimet që ashiqare kanë qenë jo vetëm luftënxitëse por edhe kriminele, si ideatore dhe realizuese të gjenocidit ndaj popujve fqinjë. Kjo mund të dëshmohet lehtë në dokumentet e kohës. Kështu, fajësia kolektive serbe nuk është ndonjë kimerë dhe komplot qëllimkeq kundër serbëve, por diçka e kapshme dhe konkrete, një ndërmarrje e përbashkët e shumë faktorëve me procesualitetin e qartë të zhvillimit në kohë dhe hapësirë.
Problemi i pjesës së ndershme të kombit serb është se, në rastin konkret, ata janë pakicë dhe nuk duhet të marrin assesi përsipër shfajësimin e tërësisë përcaktuese të krimit kolektiv. Do të ishte, nga ana e tyre, më e dobishme, nëse do të pranonin se ekziston kjo fajësi kolektive e organeve, institucioneve dhe partive, si dhe e votuesve dhe përgjithësisht përkrahësve, që i kanë përgatitur dhe realizuar planet për shfarosjen e popujve fqinjë. Përkatësia serbe e këtij faji nuk mund të vihet në dyshim. Porse, kjo nuk duhet të çojë deri te përgjithësimi, të cilin disa e bëjnë me vetëdije ose pavetëdije, se kjo çka ka ndodh me serbët është një defekt i tyre gjenetik. Serbët, si edhe gjermanët, duhet të ballafaqohen me veten. Sëmundjet kolektive janë të rënda, por edhe të shërueshme. Shërimi i gjermanëve është një shembull më i freskët kundër teorive raciste se ka kombe me prirje të lindura për krime.
Andaj kanë të drejtë politikanët shqiptarë të cilët apelojnë për shëndoshjen e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në të ardhmen. Ne me serbët e ndajmë hapësirën e njëjtë të nënqiellit, dhe ata do të mbesin fqinjët tanë të parë. Sa më parë që të shëndoshët kombi serb nga megalomania dhe dëshira e sundimit të të tjerëve, aq më mirë do të jetë për vetë kombin serb si dhe për gjithë popujt e tjerë që jetojnë në Gadishullin e Ballkanit.
(Zëri , 17 korrik 1999, f. 7)