Mehaj në takim përshëndetës me Hovenier: ShBA do të mbetet partner strategjik i përhershëm
Armend Mehaj, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit së Mbrojtjes, të martën ka zhvilluar një takim përshëndetës me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe atasheun Mosley. Mehaj i ka falënderuar për bashkëpunimin e ngushtë përgjatë dy viteve, teksa ka theksuar se kapacitetet e ushtrisë së […]
Armend Mehaj, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit së Mbrojtjes, të martën ka zhvilluar një takim përshëndetës me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe atasheun Mosley.
Mehaj i ka falënderuar për bashkëpunimin e ngushtë përgjatë dy viteve, teksa ka theksuar se kapacitetet e ushtrisë së Kosovës janë ngritur në koordinim të plotë dhe me mbështetjen e ShBA-së.
“Detyrën time nuk kisha se si ta përfundoj ndryshe përveçse me një takim të ngrohtë dhe përshëndetës me ambasadorin amerikan z. Hovenier dhe atasheun z. Mosley. Falënderim për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë për këto dy vite e gjysmë që kishim. Të gjitha kapacitetet e ushtrisë sonë janë ngritur në koordinim të plotë dhe me ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rrugëtimi im ka qenë vazhdimisht krah për krah ShBA-ve në proceset që kemi pasur përpara”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Ai ka thënë se fjalët falënderuese të ambasadorit Hovenier për bashkëpunimin, partneritetin, kultivimin e besimit, orientimin strategjik, partneritetin me ShBA-të dhe diplomacinë e zhvilluar, ishin mbresëlënëse për të.
“Në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes, ShBA do të mbetet partner strategjik i përhershëm”, ka theksuar tutje Mehaj.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj. Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkak të sëmundjes së gruas së tij.
“Ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkaqe familjare. Gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për çka i duhet tretman dhe kujdes në një qytetet tjetër nga ai i Oslos. Çifti i ka tri vajza të moshës së mitur dhe ministri Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në këtë kohë”, ka thënë Kryeziu.
Sot, zyrtarisht është konfirmuar dorëheqja e Armend Mehajt nga Ministria e Mbrojtjes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Mehaj ka dhënë dorëheqje për shkaqe familjare, teksa në vend të tij është emëruar ish–koloneli Ejup Maqedonci.
Sëmundja e gruas, arsyeja që Mehaj dha dorëheqje nga pozita e ministrit















