Ministria e Financave paralajmëron pezullimin e pagave për grevistët

Të enjten, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë, për t’ua ndërprerë pagën sipas nenit 18 të Ligjit për Greva

Ministria e Financave

Të enjten e 25 gushtit, Ministria e Financave dhe Transfereve ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.

Enis Spahiu, zëvendëssekretar në këtë dikaster, ka konfirmuar për portali Dukagjini se paga e secilit grevistë do të pezullohet për aq kohë sa qëndron në grevë, sipas nenit 18 të Ligjit për Greva.

Sipas Spahiut, kjo është bërë për ta respektuar Ligjin për Greva, meqenëse ndaj grevistëve nuk mund të merren masa disiplinore e as të zëvendësohen.

Ai ka thënë se pas emailit nga Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj, për mbajtjen e grevave, e ka njoftuar atë se do të zbatohet edhe dispozita ligjore që kërkon pezullimin e obligimeve të kontratës së punës.

“Siç jeni të njoftuar, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur Grevë të Përgjithshme në Sektorin Publik, e të cilës i është bashkuar edhe administrata shtetërore – shërbyesit civil në nivelin qendror dhe lokal. Greva mbahet në institucione në vendin e punës në pajtim me paragrafin 1 të nenit  10 të  Ligjit për Grevat nga ora 8 deri në 16 dhe gjatë grevës nuk punohet. Kërkojmë nga ju të krijoni kushte dhe të mos pengoni mbajtjen e grevës, e cila ka për qëllim mbrojtën dhe avancimin e statusit dhe të drejtave të shërbyesve civilë. Greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të shërbimit civil”, thuhet në emailin e Sefajt.

Ndërsa Spahiu iu është përgjigjur duke thënë se “Keni parasysh që jemi të detyruar të ndërmarrim disa veprime menaxheriale për sigurimin e disa informatave lidhur me grevën, në zbatimin e dispozitave të Ligjit për Greva. Konkretisht, duhet të sigurojmë materiale përkatëse për përmbushjen e kushteve ligjore për mbajtjen e grevës (procedurale dhe materiale) dhe listën e zyrtarëve që marrin pjesë në grevë, me qëllim të pezullimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, siç përcaktohet në nenin 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva. Ju garantojmë që këto veprime nuk do ta pengojnë grevën, as që do të përçojnë një mesazh të tillë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjmë në vendimin vullnetar të secilit zyrtar për grevë. Shpresoj që edhe ju e kuptoni këtë dhe e përcjellni këtë informatë kolegëve tuaj dhe pjesëmarrësve në grevë”.

Spahiu ka thënë se, si sipas nenit 18, paragrafi 1 kërkon edhe pezullim të kontratës së punës, “sepse një zyrtar që është në grevë nuk mund t’i iniciohet procedurë disiplinore, s’mund të zëvëndësohet, por për aq orë sa qëndron në grevë nuk do të marrë pagë”.

Ndërkaq, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur grevë të përgjithshme nga 25 gushti, për realizimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Kjo për shkak se sindikalistët nuk kanë arritur të dakordohen me zyrtarët e institucioneve, për ta anuluar grevën e paralajmëruar ditë më parë.

Paralajmërimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), i ka quajtur të paarsyeshme, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo ka premtuar se punëtorët e arsimit do të kenë paga të dinjitetshme në raport me performancën e tyre.

Për këtë arsye, sipas Nagavcit, është e papranueshme që procesi mësimor të mos fillojë me kohë.

“Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdojë më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron!”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Nagavci ka thënë se me projektligjin e ri për paga, rangimi i punëtorëve të arsimit është bërë edhe më mirë sesa ka kërkuar SBAShK-u.

“Jam shumë e bindur në përkushtimin e mësimdhënësve dhe përgjegjësinë që të njëjtit ndjejnë ndaj nxënësve. Sindikatat janë partneri ynë social, andaj dhe kemi shqyrtuar çdo kërkesë të tyre. Projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit edhe më mirë sesa SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar, me ish-qeverinë, andaj edhe procesi mësimor s’bën të pengohet”, ka vijuar Nagavci.

Ajo ka theksuar se Qeveria e Kosovës po ballafaqohet me pasojat e veprimeve të qeverive të kaluara, teksa shtoi se nuk do të lejohet as zhvatja e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër që bie ndesh me ligjin.

Ministrja e këtij dikasteri ka reaguar edhe në lidhje me padinë që rreth 26 komuna të vendit kanë dorëzuar ndaj ministrisë së arsimit dhe asaj të shëndetësisë.

“Kryetarët e komunave, të cilët kanë paraqitur padi janë pjesë e partive politike që kanë qenë në pushtet kur janë nënshkruar këto kontrata dhe nuk kanë planifikuar asnjëherë buxhet”, ka thënë Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit.

Ajo ka folur lidhur me padinë që Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka bërë ndaj MASHTI-t për shkak të kontratës kolektive.

Nagavci ka thënë se asnjëherë kontratat kolektive nuk i janë nënshtruar vlerësimit financiar.

“Asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka akuzuar dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, se po ia bën avokatin e komunave në përgatitjen e padive dhe po ngrit çështje të shumta në pengim të punës së institucioneve.

Paralajmërimet për greva nga sindikatat e Kosovës, nuk po i pëlqejnë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Këto paralajmërime të sindikatave, kryeministri Kurti i ka cilësuar si kërcënime, të cilat sipas tij, nuk janë të nevojshme.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse…”, ka deklaruar Kurti, raporton KP.

Kryeministri ka theksuar se Qeveria e Kosovës është pro dialogut social me sindikatat, por sipas tij, pa kërcënime e ultimatume.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika