Mirush Kabashi – “Ishte i madh, një gjeni dhe yll arti i pashuar”

Pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi, kolegët e tij kanë ndarë dhimbjen e tyre përmes vargjeve, duke e ngritur figurën e tij si një gjeni dhe yll i pashuar i skenës artistike. Trashëgimia e pasur artistike e tij mbetet si fener shprese për brezat e ardhshëm, duke kujtuar me krenari kontributin e tij të pazëvendësueshëm në botën e artit shqiptar

Mirush Kabashi, 1948 - 2023.

Ikona e artit shqiptar, Mirush Kabashi, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike me mbi 100 role në filma e teatër.

Për vdekjen e tij kanë reaguar dy artistët e mirënjohur, Ilir Shaqiri dhe Çun Lajçi, duke shprehur pikëllimin dhe respektin e tyre për aktorin tashmë të ndjerë.

“Është këputur frymëmarrja e mushkërive të Sokratit, apologjia e vërtetë e tij; është ndarë nga jeta Mirush Kabashi ‘Nderi i Kombit’. Artisti i mbi 100 roleve në teatër dhe film”, ka shkruar Ilir Shaqiri, një koleg i ngushtë i Kabashit.

Ai po ashtu ka përkujtuar kontributin e Kabashit në mobilizimin e rinisë shqiptare gjatë koncerteve “Homazh për Kosovën, 1998” dhe angazhimin e tij për lirinë e atdheut.

“Aktori i burimeve metafizike nga Gjakova, që dridhi skenat evropiane në 109 koncerte ‘Homazh për Kosovën, 1998’, duke frymëzuar rininë shqiptare që të rreshtohet në formacionet e ushtrisë së lavdishme çlirimtare – UÇK, për lirinë e atdheut. Qoftë kujtimi për ty ashtu siç arti yt – i përjetshëm!”, ka shkruar tutje Shaqiri më Facebook.

Në anën tjetër, edhe aktori i njohur, Çun Lajçi, ka shprehur dhimbjen për humbjen e një artisti të madh.

“Lamtumurë artist! Tash e dy vite ta ndollën vdekjen këta t’gjallët e vdekun. Dil andej Mirush, se atje do t’vimë ne që të deshëm e do ta përfeksionojmë atë grimcë arti që s’arritëm ta ngrehim kurrë n’majën e duhun!”, ka shkruar Lajçi.

Lajçi ka theksuar se Kabashi do të mbetet i njohur si “gjeni i pashuar” dhe ka shprehur dëshirën për të ndjekur trashëgiminë artistike të aktorit të ndjerë.

“Dije, se nga sot e tutje për ty do t’thonë; – ai, po ai ishte i madh, gjeni ishte, yll arti i pashuar! – Lamtumirë kolegu im, që viteve 98-ta u munduem t’ia zbusim dhimbjen Kosovës – ti me Kosovarin e Mitrushit, unë me Plisin e Çunit!”, ka shkruar tutje Lajçi në Facebook.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka shkruar në Facebook, “Lamtumirë Mirush”.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët e tij, të cilët nëpërmjet një njoftimi bëjnë me dije se Kabashi ka mbyllur sytë mesnatën e së martës.

“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të martën, në datë 5 dhjetor pas mesnate. Për sa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do t’ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me respekt, Familja Kabashi!”, thuhet në njoftim.

Në moshën 75-vjeçare, Kabashi ka lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.

Me rreth 100 role në teatër dhe filma, ai është shquar për interpretimet e tij të mrekullueshme dhe kontributin e jashtëzakonshëm në artin shqiptar.

Mirush Kabashi, lindur më 17 prill 1948 në Shkodër dhe i rritur në Durrës, ka qenë një nga aktorët më të njohur dhe të respektuar në skenën artistike shqiptare.

Në vitin 1970, pasi u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Mirush Kabashi nisi një karrierë të pasur në skenën artistike shqiptare. Duke filluar nga Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ai ka shërbyer me pas në Televizionin Shqiptar dhe Teatrin Kombëtar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit shqiptar.

Artisti shqiptar me origjinë nga Gjakova la pas një trashëgimi të pasur artistike, ndër rolet e tij të larmishme, më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Përveç rolit të tij si aktor, Kabashi ka shkëlqyer edhe si prezantues i aktiviteteve artistike dhe pedagog në Akademinë e Arteve. Titujt e lartë si “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” iu dhanë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në skenën artistike shqiptare.

Mirush Kabashi la pas një boshllëk të ndjeshëm në skenën artistike shqiptare, por trashëgimia e tij do të jetë një frymëzim për brezat e ardhshëm.

Ai do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si një nga ikonat e artit dhe kulturës shqiptare.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika