Mos i besoni babadimrit

Një fushatë e përgjegjshme do të duhej të ishte debat për drejtimin e shtetit, jo panair premtimesh. Do të duhej të flitej për reforma në arsim që prodhojnë dije, jo vetëm diploma. Për shëndetësi që shëron pacientë, jo statistika. Për ekonomi që krijon vende pune, jo slogane. Por për këtë kërkohet guxim politik, jo thasë mbushur me premtime.

Në çdo fushatë zgjedhore politika kosovare përjeton një transformim të çuditshëm sezonal. Liderët, zakonisht seriozë dhe të kursyer me fjalë për përgjegjësi, papritur veshin kostumin e babadimrit. Dalin para qytetarëve me thesin plot premtime, shpërndajnë rroga më të larta, pensione më bujare, shtesa, benefite dhe mrekulli ekonomike, sikur buxheti i shtetit të jetë një depo pa fund, e jo një arkë me kufizime reale.

Gara nuk bëhet më për ide, as për programe, por për shifra. Kush premton më shumë, kush e rrit rrogën mesatare më shpejt, kush i dyfishon pensionet pa u skuqur. Në këtë konkurrencë të paskrupullt, logjika ekonomike shihet si pengesë, jo si domosdoshmëri. Askush nuk ndalet të shpjegojë se nga do të vijnë paratë, kush do t’i paguajë faturat, apo çfarë sakrificash do të kërkohen për t’i bërë realitet këto “dhurata”.

Premtimet servohen si dëshira të Vitit të Ri. Qytetarëve u thuhet çfarë duan të dëgjojnë, jo çfarë duhet të dinë. Politikanët flasin për rritje pagash pa përmendur produktivitetin, për pensione më të larta pa folur për skemën pensionale, për mirëqenie pa ekonomi funksionale. Në këtë narrativë festive, shteti paraqitet si një bankomat magjik që nxjerr para sa herë që afrohet data e zgjedhjeve.

Ironia është se sa më pak flitet për reforma, aq më shumë flitet për shuma. Sa më pak vizion afatgjatë, aq më shumë premtime afatshkurtra. Arsimi, shëndetësia, drejtësia dhe zhvillimi ekonomik përmenden vetëm si dekor, si fjali kalimtare në fund të fjalimeve, ndërsa fokusi mbetet tek “sa do të rritet rroga” dhe “sa do të bëhet pensioni”. Sikur problemet strukturore të zgjidhen me një vendim qeverie dhe një konferencë për media.

Bazuar në premtime, nuk dihet cila parti është e majtë e cila e djathtë. Ekspertët vërejnë se sektori publik nuk udhëheq rritjen e pagave, por e ndjek ekonominë reale. Andaj, premtimet për rritje të pagave gjatë fushatës janë thjesht populizëm. Sipas ekspertëve, në vend të premtimeve për rritje të pagave duhet të propozohet një ligj që i lidh pagat me performancën reale të ekonomisë.

 

* * *

 

Kjo qasje e babadimrave politikë nuk është vetëm tallëse, por edhe e rrezikshme. Ajo e mëson qytetarin të presë dhurata, jo llogaridhënie. E zhvendos debatin nga pyetja “si do të zhvillohet vendi” në “çfarë do të marr unë”. Dhe kur premtimet nuk realizohen, zhgënjimi kthehet në cinizëm, mosbesim dhe apati politike.

Politikanët sillen sikur buxheti nuk ka kufij, sikur ekonomia rritet me dëshirë, sikur investimet vijnë vetvetiu. Nuk flasin për borxhin publik, për prioritetet buxhetore, për zgjedhjet e vështira që çdo qeveri serioze duhet t’i bëjë. Nuk tregojnë se rritja e rrogave pa reforma mund të prodhojë inflacion, se pensionet pa mbulim financiar krijojnë kolaps afatgjatë, se premtimet pa plan janë mashtrim i paketuar bukur.

Në vend të babadimrave që plotësojnë dëshira, qytetarët kanë nevojë për liderë që flasin si të rritur me të rritur. Për politikanë që shpjegojnë kufizimet, që tregojnë se çfarë mund të bëhet dhe çfarë jo, që pranojnë se ndryshimi kërkon kohë, punë dhe konsensus. Vizioni nuk matet me shifra të hedhura në ajër, por me ide të qëndrueshme dhe plane të zbatueshme.

Një fushatë e përgjegjshme do të duhej të ishte debat për drejtimin e shtetit, jo panair premtimesh. Do të duhej të flitej për reforma në arsim që prodhojnë dije, jo vetëm diploma. Për shëndetësi që shëron pacientë, jo statistika. Për ekonomi që krijon vende pune, jo slogane. Por për këtë kërkohet guxim politik, jo thasë me premtime.

Derisa politika vazhdon të sillet si babadimër, qytetarët rrezikojnë të mbesin fëmijë të zhgënjyer para një bredhi pa dhurata. Dhe çdo vit zgjedhor, përralla përsëritet, ndërsa realiteti mbetet po ai.

Andaj, është e rëndësishme që qytetarët të vlerësojnë opcione të qëndrueshme që çojnë përpara, të vlerësojnë premtime “për tokë” që mund të realizohen, e jo të atilla që tingëllojnë bukur. Të vlerësojnë substancën, e jo formën.

Të fundit nga rubrika