Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Prizrenit, ku një shtetas turk ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçare dhe ka lënduar rëndë vajzën tjetër të mitur, 10-vjeçe.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka theksuar se motivet e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta.

“Mund të konfirmojmë se kemi një viktimë, një vajzë e mitur 15-vjeçare, dhe një vajzë tjetër 10-vjeçare që është e lënduar. Po ashtu, i lënduar është edhe kryesi i veprës, i cili ka përdorur mjet të mprehtë, thikë”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka bërë të ditur se familja turke jetonte në atë banesë prej gjashtë muajsh dhe se deri më tani nuk ka pasur ndonjë raportim apo hetim të mëparshëm ndaj autorit.

“Edhe kryesi i veprës penale është i vetëlënduar, të gjitha këto janë kryer me mjet të mprehtë me thikë. Është një rast i rëndë që ka ndodhur brenda familjes, nuk janë shtetas të Kosovës janë shtetas të huaj dhe mund të konfirmoi se sipas informatave zyrtare në banesën ku ka ndodhur ngjarja ata janë duke jetuar që gjashtë muaj”, ka deklaruar Kryeziu para mediave.

Sipas tij, hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur motivet e këtij rasti.