Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar ndaj deklaratave të kandidatit për deputet nga AAK-ja, Daut Haradinaj, të bëra Debat Plus, ku ai tha se dy shtetas serbë kanë përfituar shtetësinë e Kosovës.
MPB ka sqaruar se Milovan Bojoviq dhe Suzana Rankoviq janë regjistruar në regjistrat civilë shumë vite më parë, përkatësisht në vitet 2007 dhe 2001, dhe se rastet e tyre nuk kanë asnjë lidhje me Ligjin e ri për Shtetësinë.
Sipas ministrisë, Bojoviq ka poseduar dokumente të UNMIK-ut dhe letërnjoftim të Kosovës që nga viti 2011.
“Sipas të dhënave zyrtare, Milovan Bojović është regjistruar për herë të parë në vitin 2007 dhe ka qenë posedues i dokumenteve identifikuese të UNMIK-ut. Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës e ka marrë në vitin 2011. Që nga ajo kohë, ai nuk ka realizuar asnjë shërbim përmes sistemit të Gjendjes Civile. Gjithashtu, vlen të theksohet se i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës më 8 prill 2016. Fillimisht ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit, mirëpo më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur ndërprerjen e kësaj mase, duke mundësuar lirimin e tij. Pas lirimit, ai ishte larguar nga territori i Republikës së Kosovës nga Policia e Kosovës”, thuhet nga ministria.
Ndërsa, Rankoviq thuhet se është qytetare e Kosovës dhe ka konvertuar dokumentet e UNMIK-ut në dokumente të Republikës së Kosovës në vitin 2015.
MPB ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimin se Suzana Rankoviq është vajza apo mbesa e Aleksandër Rankoviqit dhe u ka bërë thirrje akterëve politikë që të verifikojnë faktet para deklarimeve publike.