Mungesa e përqëndrimit, dhe stërvitja e trurit për ta evituar atë
Në emisionin e kësaj jave u diskutua për trurin, problemet me përqëndrim, dhe si duhet trajnuar ky organ që të jetë në gjendje optimale. Sonte të ftuara në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin ishin Arbesa Studenica, doktor shkence, profesoreshë dhe psikologe, si dhe Arlinda Gashi, eksperte e fushës së psikologjisë kognitive dhe neuropsikologjisë. Gashi deklaroi […]





Në emisionin e kësaj jave u diskutua për trurin, problemet me përqëndrim, dhe si duhet trajnuar ky organ që të jetë në gjendje optimale. Sonte të ftuara në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin ishin Arbesa Studenica, doktor shkence, profesoreshë dhe psikologe, si dhe Arlinda Gashi, eksperte e fushës së psikologjisë kognitive dhe neuropsikologjisë.
Gashi deklaroi se për trurin nuk diskutohet aq shumë si organ krahasuar me organet tjera, edhe pse truri është pjesa që na ndihmon t’i kryejmë të gjitha funksionet, dhe është qendër komanduese e trupit.
Studenica u pajtua duke theksuar se ne merremi shumë me probleme tjera fizike, mirëpo problemet që vijnë nga përformanca jo e mirë e trurit neglizhohen. Ajo shton se truri ka nevojë për mirëmbajtje për të funksionuar ashtu siç duhet, e këtë e bëjmë duke e mbajtur trurin sa më aktiv.
Sipas Gashit, dihet se tek shumica e njerëzve në plakje ka rënie të funksioneve kognitive, të menduarit, vëmendjes e kujtesës njësoj sikur edhe funksioneve të organeve tjera të trupit. Mirëpo deklaron se duhet parandaluar plajka e hershme, duke trajtuar trurin si organ të rëndësishëm, duke i dhënë vëmendje çdo sinjali që e vërejmë tek vetja. Në raste të dëmtimeve fizike, traumave, aksidenteve të ndryshme, psikologia thekson se është e rëndësishme të konsultohen profesionistë të fushës. Ajo thotë se ne në Kosovë jemi pak prapa, por duhet investuar kohë dhe mund në këtë drejtim.
Në lidhje me gjumin, Studenica deklaroi se gjumi është pjesa kryesore më e rëndesishme që i nevojitet trurit për të funksionuar siç duhet. Ajo thekson se 7 deri 8 orë gjumë zakonisht preferohet sipas studimeve mjekësore, por kjo varet nga personat.
Lidhur me koncentrimin Gashi thotë se kafeina mund të ketë rol pozitiv në këtë drejtim, mirëpo shumë kafeinë pastaj mund të shkaktojë stres, andaj duhet pasur kujdes të përdoret vetëm aq sa i nevojitet trupit për të rritur përqëndrimin dhe përformancen. E njëjta vlen edhe për pijet energjike. Lidhur me konsumimin e kafes ajo deklaron se duhet pasur kujdes mos të konsumohet në mëngjes menjëherë pas zgjimit, pasi mund ta rrisë stresin dhe të kalojë madje në ankth, andaj duhet pritur 3 deri në 4 orë pas zgjimit për të konsumuar kafen e parë.
Për të dhënë një arsye pse nuk duhet konsumuar kafja në mëngjes, Studenica thotë se në atë kohë truri është më i kthjellët dhe më i përqëndruar, andaj nuk ka nevojë për koncentrimin shtesë që japin kafeina apo taurina, andaj shton se të gjitha detyrat dhe obligimet që kërkojnë koncentrimin e trurit, është mirë të kryhen në mëngjes. Lidhur me substancat medikale që përdoren për të rritur vëmendjen e trurit, psikologia tha se duhet pasur kujdes të konsultoheni fillimisht me profesionistë të shëndetit mendor, pasi përdorimi i tyre nga persona që kanë vëmendje e përqëndrim të mjaftueshëm, mund të krijojë varshmëri.
Aktivitetet që psikologet i propozojnë për të mbajtur trurin sa më aktiv janë lojërat, leximi e sporti, e këto duhet përdorur për përmirësimin e shëndetit mendor që nga mosha 25-30 vjeç, pasi sipas tyre kjo është koha kur fillon ulja e funksioneve kognitive të trurit.




















