Murphy bën thirrje urgjente për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Murphy deklaron se anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike është edhe interes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Chris Murphy, senatori amerikan i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Senatori amerikan, Chris Murphy deklaroi se është urgjente për Kosovën të anëtarësohet në NATO, për të siguruar mbrojtjen e saj. Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ai theksoi se  anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike është edhe interes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë të përbashkët pas takimit, senatori amerikan i Komisionit për Punë të Jashtme tha se është urgjente që shtetet si Kosova të kenë mbrojtje.

”Gjatë diskutimeve tona folëm për interesat e përbashkëta për të vazhduar proceset e interesuara të Kosovës për t’iu bashkuar si NATO-s, ashtu edhe BE-së. Natyrisht, kemi të bëjmë me procesin për NATO dhe tash është më urgjente se kurrë që të sigurojmë që shtetet si Kosova të kenë mbrojtje dhe të gëzojnë mbrojtje”, deklaroi Murphy.

Gjithashtu, shtoi se i vjen mirë për përparimet që ka bërë Kosova për hyrjen në NATO dhe u zotua se në Uashington, do të punojnë për të mundësuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.

”Na vjen mirë që dëgjuam për gjithë ato përparime sa i përket reformave që kanë të bëjnë me hyrjen në NATO. Do të mundohemi që të punojmë në Uashington për të gjetur metoda të reja se si të punojmë bashkërisht për të mundësuar këtë”, tha ai.

Chris Murphy, senatori amerikan i Komisionit për Punë të Jashtme

Ndër të tjerash, Murphy tha se Kosova ka qenë vendi më përkrahës në rajon për sanksionet kundër Rusisë. Ndërsa procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, e quajti të vështirë, por të rëndësishëm.

”E shprehëm besimin tonë për rëndësinë që të arrihet përparim në dialogun me Serbinë përmes procesit të Brukselit. Këto bisedime janë të zorshme, por ne besojmë se janë të rëndësishme. Jemi këtu në këtë çast shumë historik në botë, për sulmin e pa provokuar dhe brutal të Rusisë në Ukrainë. Dhe kjo është përkujtim që paqja nuk duhet të merret për të qenë, sepse një moment një shtet paqësor mund të jetë skenë e atyre krimeve kaq brutale. Për këtë arsye, jemi kaq shumë duke investuar për sigurinë e krejt Evropës dhe krejt Ballkanit, por veçanërisht edhe Kosovës”, tha Murphy, transmeton Kosova Press.

Senatori amerikan ka përmendur edhe vdekjen e sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ku tha se familja e saj e çmon memorialin e ngritur në Prishtinë.

Madeleine Albright, Sekretare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n janë komplekse dhe paradoksale. Në shumë mënyra, Kosova i detyrohet Aleancës së NATO-s për ekzistencën dhe sigurinë e saj. Megjithatë, vendi është i vetmi në rajon pa asnjë lloj marrëdhënie bilaterale me NATO-n.

Sado e mirëseardhur që është nga institucionet e Kosovës dhe njerëzit e saj, NATO është e pranishme në Kosovë jo si rezultat i një marrëveshje zyrtare me Kosovën por në bazë të një marrëveshje me një vend që nuk ekziston më – Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ).

Përkundër kësaj dhe ndryshimeve të tjera domethënëse që kanë ndodhur ndërkohë, më e rëndësishmja, shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008 dhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës në vitin 2018, mandati i NATO-s ende mbetet i njëjtë dhe buron nga Rezoluta 1244 e OKB-së.

Ilustrim

Anëtarësimi në NATO është i hapur për ”çdo shtet tjetër evropian që eështë në gjendje të respektojë parimet e këtij Traktati dhe që kontribuon në sigurinë e zonës së Atlantikut së Veriut”.

NATO, ka gjithashtu atë që ajo e quan Plani i Veprimit për Anëtarësim. Plani i ndihmon anëtarët, të cilët aspirojnë të përgatiten për anëtarësim dhe që i përmbushin kërkesat kryesore, duke u ofruar atyre këshilla praktike dhe ndihmën përkatëse.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika