Mustafa: S’i besoj LDK-së e as Hazirit që s’e kanë parë draftin e Asociacionit

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se liderët e partive opozitare në takimin e fundit me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e kanë parë draftin e Asociacionit

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson se partitë opozitare kanë parë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një dokument i cili është prezantuar në një takim me Miroslav Lajçakun, të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun.

Mustafa ka theksuar se nënkryetari i partisë së tij, Lutfi Haziri, e ka konsultuar draftin, si dhe të gjithë liderët e opozitës që ishin në takim me Lajçakun.

Ai ka thënë se çdo ndryshim i bërë në draftin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Draftin nuk e kam parë dhe është keq që nuk është parë, ai draft, jo nga unë, por duhet ta shohin deputetët dhe partitë opozitare, edhe pse nuk besoj që ato nuk e kanë parë edhe pse po thonë që nuk e kemi parë, sepse po duan të mbulohen të cilat po potencojnë që nuk e kanë parë, sepse duan që të mbulohen për shkak të përgjegjësisë që e kanë, sepse nuk mundet një parti opozitare me e pa statutin edhe në bisedë me Lajçakun e dy përfaqësues të tjerë mos e me pa në të njëjtën sallë, sepse Lajçaku nuk e ka zgjedhur dikujt t’ia japë e dikujt tjetër jo, por është një përgjegjësi, nuk i besoj as Hazirit, as përfaqësuesve të LDK që nuk e kanë parë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se marrëveshja e vitit 2015 ka paraparë se statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe është e rëndësishme që çdo ndryshim të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Mustafa ka shprehur shqetësimin e tij për faktin që disa deputetë nuk kanë parë draftin dhe beson se është e rëndësishme që ta shohin atë.

Ai ka vlerësuar se është e papranueshme që partitë opozitare të mos kenë informacion të plotë për një çështje të rëndësishme si Asociacioni.

“Uroj që të jetë një Asociacion më i mirë dhe të dalë në një zgjidhje që të na përgjigjet neve, mirëpo dyshoj që do jetë ndonjë zgjidhje e mirë më pikën 7 të Marrëveshjes së Ohrit, sepse në këtë pikë parashihet vetëmenaxhim i serbëve në Kosovë që nuk parashihte as në marrëveshjen e parë e as në dokumentin e 2015. Vetëmenaxhimi është më e gjerë sesa që ka qenë marrëveshja për Asociacion, mirëpo nëse Kurti ka mundur që atë ta kornizojë në suaza Kushtetuese, do t’i gëzohesha asaj, sepse është në pyetje interesi i Kosovës, 10 vite jemi dëmtuar, sepse do ishim larg tani, do ishim përpara në proces integrimeve, do ta kishim para 4-5 viteve të përfunduar procesin e liberalizimit, do duhej dikush të kishte përgjegjësi, mirëpo në vend të përgjegjësisë ata që e kanë penguar atë kanë marrë vota. Mirëpo tashmë edhe asociacioni është, edhe masat e BE-së janë, edhe vërejtjet e raport progresit nuk është asgjë mirë, por shpresoj që të rregullohen”, ka deklaruar tutje ai.

Ish-kryeministri, gjithashtu, ka komentuar rolin e Lajçakut, duke thënë se përfaqësuesi i BE-së nuk duhet të zgjedhë personin për të cilin do t’i paraqesë draftin, por duhet të ketë konsultime të përgjithshme me të gjitha palët e interesuara.

Ndër të tjera, ai ka thënë se është koha që Kosova të vetëdijësohet dhe të punojë drejt qëllimeve të saj.

Ndryshe, ditë më parë për vizitë në Kosovës ishte i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ku takoi përfaqësuesit e opozitës.

Në takimin me Lajçakun ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Krasniqi dhe Haziri pas takimit thanë se nuk e kanë parë draftin, gjersa kryetari i AAK-së tha se në takimin me Lajçakun e kanë parë draftin e statutit të Asociacionit të propozuar nga BE-ja.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika