Policia sekuestron 15 kilogramë marihuanë dhe kokainë, katër të arrestuar në Prishtinë e Gjakovë
Katër persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni policor të koduar “Taslixhe”, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale që ndërlidhen me trafikimin e narkotikëve, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, operacioni është realizuar në koordinim me Prokurorinë, në lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Gjakovë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 15 kilogramë marihuanë, një sasi kokaine, para të gatshme, armë dhe municion, telefona celularë, si dhe dy vetura.
Sveçla ka thënë se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe formave të tjera të kriminalitetit.
“Shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve tanë do ta mbrojmë me çdo kusht. Beteja jonë për parandalimin dhe goditjen e çdo forme të kriminalitetit është e përditshme dhe e palëkundur. Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri për të luftuar krimin dhe për të garantuar sundimin e ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.















