Vrasjet në Gjilan nuk janë vetëm akte kriminal, janë akuzë ndaj shtetit. Nëse nuk ka hetim të thellë për përgjegjësinë institucionale, atëherë fajdexhinjtë do të vazhdojnë të punojnë lirshëm. Derisa të ketë viktima të tjera.
Imer Mushkolaj
Në Kosovë një njeri mund të të marrë jetën dhe shteti jo vetëm që nuk e pengon, por shpesh duket sikur e ndihmon. Historia e vrasjes së trefishtë në Gjilan, e lidhur me fajdet, është fotografia e qartë e një pjese të sistemit gjyqësor që prej vitesh nuk punon për qytetarët, por për një rreth të mbyllur të krimit, politikës dhe parasë së pistë.
Të gjithë e dinë si funksionon: fajdet janë biznes i njohur, i strukturuar, me “investitorë” të fuqishëm që shëtisin lirshëm rrugëve, bëjnë jetë luksoze dhe në mbrëmje ndodh të takohen me prokurorin ose gjykatësin që u ka mbyllur ndonjë rast. Nuk është se këto histori nuk dokumentohen. Gazetarët hulumtues i kanë zbuluar e publikuar me vite. Por, sa herë që dosjet mbërrijnë në prokurori, fillon loja e njohur: mungesë provash, dëshmitarë që “ndërrrojnë mendje”, zvarritje procedurash. Derisa një ditë, ndodh tragjedia.
Në Gjilan tragjedia nuk erdhi nga hiçi. Ishte një zinxhir vendimesh të gabuara, korrupsioni dhe frikësimi. Prokurorë që kanë pasur rastet në duar, gjykatës që kanë pasur mundësi të izolojnë fajdexhinjtë, por që kanë zgjedhur të mos e bëjnë. Dhe tani, tre njerëz janë të vdekur. Tre familje të shkatërruara. Një qytet i tërë i tronditur.
Kjo nuk është vetëm një histori lokale. Ky është model kombëtar. Në shumë qytete të Kosovës fajdet janë kancer që ha trupin e shoqërisë. Dhe, si çdo kancer, nëse nuk trajtohet, shpërthen në formën më të keqe. Ajo që ndodhi në Gjilan mund të ndodhë nesër në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë apo Gjakovë.
Le të flasim hapur: sistemi i drejtësisë nuk është thjesht i paaftë – është i kapur. Kur thuhet kështu, gjithmonë del dikush që thotë: “Jo, mos përgjithësoni. Ka edhe profesionistë të ndershëm.” Po, ka, por ata janë ose të margjinalizuar, ose të frikësuar, ose të lodhur duke luftuar një mur që nuk rrëzohet. Pesha e korrupsionit është shumë më e madhe se forca e individëve të ndershëm.
Kush i mbron fajdexhinjtë? E dimë përgjigjen. Nuk është vetëm frika nga hakmarrja. Është paraja që gjen rrugën e saj deri te dosja në sirtar. Është lidhja e vjetër ndërmjet biznesit të zi dhe pushtetit politik. Është fakti se shumë prej këtyre fajdexhinjve janë financues të fushatave zgjedhore, miq të miqve, njerëz që nuk i prek ligji.
Për krimin në Gjilan mbase mund të ketë arrestime. Prokurorët edhe mund të flasin për “angazhim maksimal” dhe “zbardhje të plotë të rastit”. Por, ky film është parë më herët. Është e njëjta skenë me aktorë të njëjtë. Deri në rastin tjetër.
* * *
Drejtësia në Kosovë është si një shtëpi me dritare të thyera: nuk ka rëndësi sa herë e pastron dyshemenë, era dhe shiu do të hyjnë prapë. Sepse problemi nuk është vetëm papastërtia – është fakti që struktura është e kalbur.
Në vendet normale, një vrasje e trefishtë për fajde do të shkaktonte hetim të brendshëm në prokurori dhe gjykata. Do të pyetej kush ka dështuar, kush ka lejuar të ecin të lirë fajdexhinjtë e njohur. Por, në Kosovë kjo nuk ndodh. Nuk ka përgjegjësi institucionale. Dështimi nuk është arsye për dorëheqje, por është pjesë e përditshmërisë.
Kjo është arsyeja pse qytetarët nuk besojnë më. Kur e di që drejtësia mund të blihet, nuk i drejtohesh asaj. Kur e di që gjykatësi mund të marrë vendim jo sipas ligjit, por sipas një telefonate që merr, atëherë fillon të mendosh për marrje drejtësie në dorë. Kjo është rruga më e rrezikshme për një shoqëri.
Vrasja në Gjilan nuk është vetëm akt kriminal, është akt akuze ndaj shtetit. Është dëshmi se për vite me radhë kemi jetuar në një iluzion se ligji ekziston. Realiteti është se ligji zbatohet vetëm për ata që nuk kanë lidhje, nuk kanë para dhe nuk kanë mbrojtje politike.
Tre njerëz janë të vdekur. Por bashkë me ta, është vrarë edhe një copë e besimit që qytetarët kishin te drejtësia. Dhe këtë herë, as prokurorët e as gjykatësit nuk mund të fshihen pas fjalëve të bukura.