Ngrihet aktakuzë ndaj pilotit kroat dhe partneres së tij serbe që spiunuan për situatën në veri dhe KFOR-in

Prokuroria e Qarkut në Split të Koacisë ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj ish-pilotit ushtarak kroat J.I. i cili kishte shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe partneres së tij shumëvjeçare, A.M., shtetase serbe nga Kosova.

Sipas Prokurorisë kroate, piloti, gjatë shërbimit në Forcat e Armatosura të Kroacisë, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022, dyshohet se në mënyrë të përsëritur i ka dhënë partneres së tij informacione të klasifikuara, të siguruara përmes detyrës zyrtare, raporton Index.hr përcjell Dukagjini.

Hetuesit pretendojnë se ai ishte në dijeni se këto të dhëna po mblidheshin për interesa të një shteti të huaj, ndërsa A.M. akuzohet se informacionet e siguruara i kishte përcjellë më tej në disa adresa jashtë Kroacisë.

Veçanërisht shqetësuese janë dyshimet që lidhen me Kosovën. Gjatë kohës kur piloti kroat shërbente në KFOR, ai dyshohet se partneres së tij i ka zbuluar informacione mbi lëvizjet e trupave të misionit të NATO-s, zhvillimet e sigurisë dhe lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës. Sipas raportimeve, një pjesë e këtyre informacioneve dyshohet se më pas i është përcjellë Listës Serbe.

Nëse këto pretendime provohen në gjykatë, rasti nuk përbën vetëm shkelje individuale të sekretit ushtarak, por ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e informacionit operacional të një misioni ndërkombëtar në një prej zonave më të ndjeshme të Ballkanit.

Po ashtu, pretendimi se të dhëna mbi lëvizjet e KFOR-it mund të kenë përfunduar te një subjekt politik në Kosovë kërkon sqarim të plotë institucional: kush i ka marrë informacionet, për çfarë qëllimi janë përdorur dhe nëse ato janë përcjellë më tej.

Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës ndaj A.M. për shkak të rrezikut të arratisjes. Ndërkohë, ish-piloti kroat, i liruar nga paraburgimi në fund të tetorit të vitit të kaluar nën masa kufizuese, është shkarkuar nga shërbimi ushtarak.

Me ngritjen e aktakuzës, hetimet konsiderohen të përfunduara dhe çështja kalon në fazën gjyqësore, ku pritet të provohet edhe zinxhiri i pretenduar i rrjedhjes së informacioneve të klasifikuara të KFOR-it në Kosovë.

Arrestohen piloti kroat i KFOR-it dhe partnerja e tij serbe, dyshohen për spiunazh në favor të Listës Serbe

Të fundit nga rubrika