Nis tentativa e 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka nisur sot për herë të 15-të përpjekjen për konstituimin e tij, në një situatë të pazakontë politike që po zvarritet prej 15 prillit. Edhe pse janë bërë përpjekje të shumta për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit dhe për të hapur rrugë formimit të institucioneve të reja, mungesa e konsensusit […]
Kuvendi i Kosovës ka nisur sot për herë të 15-të përpjekjen për konstituimin e tij, në një situatë të pazakontë politike që po zvarritet prej 15 prillit. Edhe pse janë bërë përpjekje të shumta për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit dhe për të hapur rrugë formimit të institucioneve të reja, mungesa e konsensusit ndërmjet partive politike ka lënë legjislaturën të bllokuar.
Kryesuesi i seancës parlamentare, deputeti më i moshuar, Avni Dehari në fjalën e tij hapëse ka deklaruar se prezentë në sallën e Kuvendit janë 115 deputetë.
“Sot është përvjetori i Tahir dhe Nebih Mehës, dhe në nderim të tyre Kuvendi i Kosovës ka nderuar me një minutë heshtje”, deklaroi Dehari.
Ndryshe, sot deputetët e Kuvendit janë mbledhur për vazhdimin e 15-të me radhë të seancës konstituive. Ndërkohë që asnjë nga partitë parlamentare nuk ka treguar për ndryshim qëndrimesh.
Ndërsa, ditë më parë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se do të fillojë konsultimet me partitë politike në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Këtë e konfirmoi këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Kupina.
Më 11 maj, për të katërmbëdhjetën herë më radhë, deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Derisa partitë e tjera politike nuk përkrahin zgjedhjen e Albulena Haxhiut në pozitën e kryetares së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, vazhdon të insistojë se nuk do të propozojë emër tjetër për kryeparlamentar.
Sa herë që emri i Haxhiut u hodh në votim nuk mori votat e nevojshme për tu zgjedhur në këtë pozitë.
Ditë më parë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që për kryeparlamentarin të votohet përmes votës së fshehtë. Por as për këtë proces, në seancat e kaluara nuk u siguruan votat e nevojshme dhe procesi ka ngecur.















