Një goditje e paralajmëruar

Pezullimi i dialogut strategjik me Kosovën është goditje më e thellë sesa mund të duket në shikim të parë. SHBA nuk është vetëm aleati më i rëndësishëm, është themeli mbi të cilin është ngritur shteti i Kosovës

Ka ndodhur diçka që shumëkush e paralajmëronte prej kohësh: Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta pezullojë dialogun strategjik me Kosovën. Nuk është fjala për një procedurë teknike, as për një vonesë protokolare. Është një vendim politik, i rëndë në përmbajtje dhe simbolikë, që bart një mesazh të qartë për qeverinë e Kosovës, por edhe për gjithë shoqërinë. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, raportet e Kosovës me aleatin kryesor, me shtetin që e ka ndihmuar më së shumti, kanë hyrë në një fazë të ftohtë. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht.

Ky vendim është, mbi të gjitha, një goditje për kryeministrin Albin Kurti. Qasja e tij sfiduese, shpesh e veshur me petkun e parimeve, ka prodhuar pasoja konkrete për vendin. Dialogu strategjik nuk është një kafe mes miqsh, por një platformë ku diskutohet për sigurinë, zhvillimin ekonomik, integrimin në mekanizma ndërkombëtarë dhe koordinimin e politikave në rajon. Të humbësh këtë tryezë do të thotë të humbësh kanalin më të rëndësishëm të komunikimit me Washingtonin. Për Kurtin kjo është një humbje personale, sepse rrëzon mitin e liderit që i reziston presionit të të mëdhenjve dhe del i paprekur. Por, përtej Kurtit, ky është edhe një mesazh i ashpër për presidenten Vjosa Osmani. Ajo, që për vite ka kultivuar imazhin e një lidereje proamerikane, tashmë shihet nga Washingtoni si pjesë e së njëjtës qeveri që ka komplikuar marrëdhëniet. Heshtja e saj ose rreshtimi i saj përkrah Kurtit nuk ka kaluar pa u vërejtur. Në vend të distancimit ose korrigjimit të kursit, Osmani ka zgjedhur të ecë me të njëjtin hap, duke e rrezikuar kredibilitetin e saj. Prandaj, pezullimi i dialogut strategjik është edhe një shuplakë e qartë për të.

Goditja ndaj Kosovës është më e thellë sesa mund të duket në shikim të parë. SHBA nuk është vetëm aleati më i rëndësishëm, është themeli mbi të cilin është ngritur shteti i Kosovës. Pa mbështetjen amerikane, Kosova do të ishte shumë më e brishtë, shumë më e ekspozuar ndaj presioneve të Serbisë dhe Rusisë. Të humbësh dialogun strategjik me SHBA do të thotë të humbësh privilegjin e të qenit në rendin e parë të kujdesit amerikan në Ballkan. Kjo do të thotë më pak mbështetje për anëtarësime ndërkombëtare, më pak investime, më pak mbrojtje politike në arenën globale.

* * *

Është e vërtetë që Kurtit i pëlqen të flasë për sovranitet, për dinjitet, për barazi në raport me aleatët. Por, politika nuk është vetëm fjalë. Sovraniteti nuk ndërtohet duke sfiduar aleatin kryesor, por duke krijuar miqësi dhe duke forcuar pozicionin e brendshëm. Dinjiteti nuk është refuzim për hir të refuzimit, por aftësi për të ditur kur të insistosh dhe kur të bësh kompromis. Në këtë pikë, qasja e tij ka dëmtuar jo vetëm marrëdhënien me SHBA, por edhe imazhin e Kosovës si një vend që di të menaxhojë partneritetin me shtetet e fuqishme.

Në këtë mes, qytetarët janë ata që humbasin më së shumti. Ata që shpresonin për një Kosovë më të sigurt, më të integruar, më të zhvilluar, tashmë duhet të përballen me realitetin e një izolimi të ri. Ata që e kanë parë Amerikën si garantuesin e lirisë dhe pavarësisë, sot e shohin një derë të mbyllur. Dhe kjo derë nuk është mbyllur nga amerikanët, por nga sjellja e udhëheqësve të Kosovës.

Për opozitën, ky është një rast i artë për të goditur qeverinë. Por, nuk mjafton që partitë opozitare të kënaqen veç me kritika. Ato duhet të ofrojnë alternativë, të tregojnë se si do ta rindërtonin raportin me SHBA-të, si do ta rikthenin dialogun strategjik në binarë. Sepse Amerika nuk i përket vetëm një partie apo një qeverie, është aleati i gjithë Kosovës. Dhe përgjegjësia për ta ruajtur këtë miqësi është e përbashkët.

Vendimi për ta pezulluar dialogun strategjik është një paralajmërim serioz: durimi ka kufi. Nëse Kosova dëshiron ta ketë Amerikën pranë, duhet të ndryshojë qasje. Nëse Kurtit dhe Osmanit u intereson vërtet e ardhmja e vendit, jo vetëm e tyre politike, atëherë duhet të reflektojnë, të pranojnë gabimet dhe të rregullojnë raportin me aleatin kryesor.

Përndryshe, kjo goditja do të jetë vetëm fillimi i një serie humbjesh që Kosova nuk mund t’i përballojë. Dhe historia nuk do të kujtojë fjalët e bukura për dinjitet, por pasojat e rënda të një kokëfortësie që kushtoi shumë.

Të fundit nga rubrika