Një Kuvend i marrë peng

Ajo që po ndodh me Kuvendin është më shumë se një krizë politike - është shpërfaqje brutale e mënyrës si mendojnë dhe funksionojnë elitat politike. Askush nuk e ka hallin e shtetit. Askush nuk pyet për qytetarin që pret institucione. Askush nuk merr përgjegjësi. Dhe më e keqja, askush nuk e ndien turpin

Në vend që të flasim për ligje, zhvillim, reforma, apo ndonjë ide që lidhet me jetën e përditshme të qytetarëve, tash e tre muaj jemi të detyruar të merremi me një realitet grotesk: Republika e Kosovës ka Kuvend, por nuk ka Kuvend. Ka 120 deputetë, por nuk ka asnjë vullnet për të pasur institucion. Ka zgjedhje të përfunduara, mandate të certifikuara, por jo demokraci funksionale. Ky është cirku institucional i Kosovës, që javë me radhë luhet para syve të një publiku të lodhur dhe që neveritet nga ajo çfarë ndodh.

Kuvendi, i cili në një shtet normal do të duhej të ishte tempulli i demokracisë, në Kosovë është shndërruar në arenë fyerjesh, bllokadash, inatesh personale dhe krizash të prodhuara me qëllim. Në vend të përfaqësuesve të popullit, kemi aktorë të keqtrajnuar që ngatërrojnë skenarin, harrojnë tekstin dhe përplasen mes vete jo për parime, por për inate dhe pazare. Ajo që po ndodh me moskonstituimin e Kuvendit është më shumë se një krizë politike – është shpërfaqje brutale e mënyrës si mendojnë dhe funksionojnë elitat tona politike. Askush nuk e ka hallin e shtetit. Askush nuk pyet për qytetarin që pret institucione. Askush nuk merr përgjegjësi. Dhe më e keqja, askush nuk e ndien turpin.

Dikur, në të tilla kriza politike shfaqeshin ambasadorët e huaj dhe i politikanët i qortonin si nxënës të këqij. Sot as ata s’kanë më durim të flasin. Sepse po i përsëritin të njëjtat skena si kasetat e vjetra që ngelin në një këngë: bojkot, dështim votimi, pazare për poste dhe asnjë marrëveshje për interesa të përbashkëta.

Kjo nuk është luftë idesh. Është luftë kokëfortësish. Nuk është garë për kush e përfaqëson më mirë popullin, por kush e mban peng më gjatë. Dhe në këtë betejë të pakuptimtë, fitues nuk ka. Sepse humbin të gjithë. Humb demokracia, humb qytetari, humb Kosova.

*  *  *

Në çdo shtet normal pas zgjedhjeve formohen institucionet. Në Kosovë, pas zgjedhjeve fillon lufta për çelësat e zyrave. Këto javë, sa herë është tentuar konstituimi i Kuvendit, qytetarët janë bërë dëshmitarë të një teatri absurd, ku deputetët nuk ulen për të votuar, por për të bërë numra, për të bërë presion, për të testuar vullnetin e njëri-tjetrit në një lojë nervash që po dëmton çdo fije besimi në funksionimin e sistemit.

Njëra palë s’e do këtë kandidat, tjetra s’pranon atë propozim, një tjetër rri në pritje të ndonjë shpërblimi institucional. Kështu Kuvendi nuk konstituohet, ndërsa qytetarët shikojnë çdo seancë si një episod të ri të një seriali politik që nuk mbaron kurrë, por as që ka ndonjë zgjidhje.

Dhe, ndërkohë që politika është zhytur në rrugë pa krye, qytetari i zakonshëm përballet me çmimet e rritura, me mungesë shërbimesh publike, me mungesë perspektive. Por këto nuk janë tema që i shqetësojnë deputetët. Ata janë shumë të zënë duke u marrë me vetveten. Kur një parlament nuk arrin të zgjedhë as kryetarin e vet, çfarë mund të pritet prej tij më vonë? Si mund të funksionojë një demokraci kur përfaqësuesit e popullit refuzojnë të përfaqësojnë? Dhe, më e frikshmja: çka nëse ky është modeli i vetëm politik që kemi ndërtuar në këto vite? Një sistem ku çdo palë mendon vetëm për vete, ku gjithçka funksionon në bazë të interesit momental dhe asgjë mbi bazë të vlerave.

Përgjegjësit dihen – partia më e madhe ka përgjegjësinë kryesore. Pa kompromis s’ka zgjidhje. Nuk bën punë as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës nuk është më pasqyrë e vullnetit të popullit, por e vullnetit të bllokuesve. Ai është rrëmbyer nga arroganca, inati dhe papërgjegjësia. Dhe si çdo cirk i keq, edhe ky ka nevojë për një fund.

Por për fat të keq, në këtë republikë, fundi nuk vjen asnjëherë. Sepse gjithmonë del dikush që e shtyn shfaqjen edhe pak. Edhe një ditë. Edhe një javë. Derisa të harrohet turpi. Dhe të fillojë një cirk i ri.

Të fundit nga rubrika