Gjykata Themelore Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurës GJ.L, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës GJ.L dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton fakti se nëse e pandehura gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar tek dëshmitarët në këtë procedurë penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Më 30 qershor, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një 19-vjeçare nga Podujeva ka kërkuar tretman mjekësor, pasi dyshohet se ka kryer një abort në mënyrë të paligjshëm.

Lidhur me rastin në fjalë, ishte arrestuar edhe një grua që raportohet se është e ëma e 19-vjeçares.

Abortoi foshnjën në muajin e shtatë, kërkohet paraburgim për 19-vjeçaren në Podujevë