Një pushtet i dështuar dhe një opozitë që s’guxon

Albin Kurti po luan një lojë që e njeh mirë - lojën e viktimës që mbijeton nga përçarja e të tjerëve. Por, opozita po e ndihmon ta fitojë këtë lojë, duke u sjellë si spektatore që nuk di nëse dëshiron të hyjnë në ndeshje apo të rrijë në tribuna.

Nëse dikush do ta kishte bërë skenar filmik sagën e paszgjedhjeve të fundit në Kosovë, me siguri do të akuzohej për ekzagjerim. Nëntë muaj pas zgjedhjeve, vendi ende nuk ka qeveri. Në vend të zgjidhjes politika ka ofruar një telenovelë me plot episode të përsëritura: takime që nuk prodhojnë asgjë, deklarata boshe, akuza e kundërakuza dhe, mbi të gjitha, një tallje e hapur me qytetarin që votoi me shpresë për ndryshim.

Në këtë “dramë” politike, rolet janë ndarë qartë. Albin Kurti, me gjithë pamundësinë për të krijuar shumicë, po luan mjeshtërisht rolin e viktimës që e pengojnë të tjerët ta udhëheq vendin. Opozita, në anën tjetër, është shndërruar në një grup figurantësh që presin të thirren në skenë, por nuk dinë çfarë të thonë kur mikrofoni u afrohet. Secila parti flet për “interesin e shtetit”, por asnjëra nuk e bën hapin konkret për t’u bashkuar dhe për t’i dhënë fund kësaj krize politike që ka degraduar çdo institucion.

Në demokraci, kur fituesi nuk i ka numrat për të qeverisur, logjika është e thjeshtë: opozita e bashkon fuqinë për të ndërtuar shumicën dhe për ta marrë përgjegjësinë. Por, në Kosovë kjo logjikë bie përballë interesave personale dhe kalkulimeve për zgjedhjet e ardhshme. Të gjithë flasin për “parime”, por veprojnë me frikë nga reagimi i elektoratit. Askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për rrëzimin e Kurtit, edhe pse të gjithë e pranojnë se ai nuk i ka numrat për të vazhduar. Rezultati? Një vend që nuk ka qeveri funksionale dhe një popull që është lodhur nga pritja dhe zhgënjimi.

Loja e Kurtit është e vjetër, por efektive. Ai e di se opozita është e përçarë dhe se secila parti ka interes të ruajë identitetin e vet. Ai i provokon me fjalë, i fton në takime për t’u bërë sikur po kërkon zgjidhje, pastaj del para kamerave dhe thotë: “Unë po përpiqen, ata s’po duan”. Në këtë mënyrë e ruan imazhin e liderit që përpiqet, ndërsa fajin e hedh mbi të tjerët. Në të vërtetë, ky është një kalkulim politik i qëllimshëm për ta zvarritur procesin dhe për të mbajtur nën kontroll narrativën publike.

Ndërkohë, opozita i bie në grackë. Në vend që të veprojë si bllok i bashkuar, ajo vazhdon të sillet si skuadër amatorësh që nuk di çfarë strategjie ka. Njëri thotë “le të shkojmë në zgjedhje”, tjetri kërkon “koalicion të përkohshëm”, i treti hesht duke menduar për poste të mundshme. Kështu, Kurti fiton kohë, ndërsa qytetarët humbin durimin. Në çdo vend normal, pas nëntë muajsh pa qeveri, do të kishte ndodhur një tronditje politike. Në Kosovë, kjo gjendje tashmë shihet si “normale”.

* * *

Nëse opozita nuk është në gjendje të bashkohet për të formuar qeveri, atëherë duhet pyetur se cili është roli i saj? Opozita nuk e ka për detyrë të rrijë e të presë që Kurti të gabojë më shumë, por duhet të ofrojë një alternativë të qartë dhe funksionale. Të rrëzosh një qeveri që nuk ka shumicë nuk është mëkat demokratik; është detyrë politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarit. Çdo ditë që kalon pa zgjidhje është një ditë e humbur për vendin – për ekonominë, për drejtësinë, për integrimin europian.

Tallja me qytetarin nuk qëndron vetëm në vonesën e krijimit të qeverisë, por edhe në mënyrën si i trajtohet publiku. Politikanët dalin nëpër studio televizive dhe flasin sikur po bëjnë ndonjë shërbim të madh kombëtar duke mos bërë asgjë. Fjalët “parime”, “kushtetutë” dhe “vullnet i qytetarëve” janë bërë strehë për mungesë përgjegjësie. Askush nuk flet për koston reale të këtij bllokimi: investimet që nuk bëhen, vendet e punës që humben, njerëzit që emigrojnë dhe besimin që tretet çdo ditë e më shumë.

Albin Kurti po luan një lojë që e njeh mirë – lojën e viktimës që mbijeton nga përçarja e të tjerëve. Por, opozita po e ndihmon ta fitojë këtë lojë, duke u sjellë si spektatore që nuk di nëse dëshiron të hyjnë në ndeshje apo të rrijë në tribuna.

Koha po kalon, e me të po tretet edhe durimi i njerëzve. Nëse edhe kjo krizë përfundon me zvarritje, marrëveshje të përkohshme apo zgjedhje të sërishme, atëherë do të jetë dëshmi se politika kosovare ka mbetur peng i lojërave të vjetra dhe se qytetari, edhe një herë, ka qenë vetëm figurant në skenarin e pushtetit.

Të fundit nga rubrika